Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Një delegacion i lartë i UNICEF-it u prit në Ministri të Shëndetësisë

Në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës u prit sot një delegacion i lartë i UNICEF-it në të përbërje të cilit ishin shefi i UNICEF-it në Kosovë, Johanes Ëedennig, zëvendësi i tij, Luciano Callestini,  këshilltari i lartë për shëndetësi i Zyrës Regjionale të UNICEF-it për  Evropën Juglindore,  Octavian Bivol,  specialistja për imunizim, Oya Zeren Afsar dhe zyrtari për shëndetësi dhe nutricion, Agron Gashi.
Në këtë takim, Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe Sekretari i Përgjithshëm Ilir Tolaj, kanë informuar delegacionin e UNICEF-it me procesin aktual të reformave në shëndetësi, sfidat dhe prioritetet e Ministrisë.
Ministri Agani e ka vlerësuar partneritetin me UNICEF-in, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në fusha të ndryshme në shëndetësi edhe në të ardhmen, posaçërisht në fushën e shëndetit të nënës, fëmijës dhe të rinjve, fushën e nutricionit, imunizimit, promovimit shëndetësor dhe në mbrojtjen shëndetësore të kategorive të veçanta.
Në këtë aspekt, është biseduar edhe për dizajnimin e projekteve specifike dhe zhvillimin  grupeve të përbashkëta të monitorimit të rezultateve të tyre.
Këshilltari i lartë për shëndetësi i Zyrës Regjionale të UNICEF-it, Octavian Bivol, ka shprehur interesimin e tij për prioritetet në shëndetësinë kosovare, sidomos në fushat ku UNICEF-i dhe MSh zhvillojnë një partneritet të qëndrueshëm, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi me qëllim të fuqizimit të aktiviteteve në fushën e imunizimit, nutricionit, promovimit shëndetësor dhe zhvillimit të politikave shëndetësore.
Shefi i UNICEF-it për Kosovë, Johaness Wedennig, ndërkaq, në përmbyllje të misionit të tij në Kosovë e ka vlerësuar lart partneritetin me MSH.