Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

OBSH dhe MSh trajnojnë 18 mantelbardhë për Shërbimet Emergjente Mjekësore

Trajnimi nis më 29 nëntor nën përkujdesjen e tre instruktorëve ndërkombëtarë, ekspertë të shërbimeve emergjente mjekësore

Prishtinë, 22. 11. 2010

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) -Zyra në Prishtinë , në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, do të nis më 29 nëntor 2010 trajnimin e 18 profesionistëve shëndetësore të Kosovës, kryesisht mjekë dhe infermierë të shërbimit të urgjencës nga niveli i Kujdesit Parësor Shëndetësor për kursin: “Personi i parë në vendin e ngjarjes”.
Për këtë qëllim, sot në Ministrinë e Shëndetësisë është mbajtur një takim i Komitetit Drejtues për Shërbimet Emergjente Mjekësore, ku është finalizuar lista e pjesëmarrësve në këtë trajnim, ku janë të përzgjedhur kandidatë nga gjashtë regjionet e Kosovës  si dhe është prezantuar një pasqyre e përgjithshme lidhur me kursin, i cili do të vijohet në tre module: moduli i parë nga 29 nëntori deri më 17 dhjetor;  i dyti nga 10 janari deri më 28 janar dhe i treti nga 31 janari deri më 18 shkurt.
Kursi do të ndiqet në Prishtinë nën përkujdesjen e tre instruktorëve ndërkombëtarë, ekspertë të shërbimeve emergjente mjekësore, dhe qëllimi i tij është rritja e aftësive të stafit shëndetësor kosovar në menaxhimin e rasteve emergjente mjekësore në vendin e ngjarjeve.