Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

OBSH i dhuron rreth 30 mijë dollarë pajisje Kujdesit Parësor Shëndetësor në Prishtinë

Këto pajisje të dhuruara nga OBSh janë siguruar përmes fondeve të dhuruara nga Qeveria e Luksemburgut në kuadër të projektit të përbashkët për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve në Kosovë. Ndërkaq, sigurimi i tyre vjen si kurorëzim i natyrshëm i procesit të trajnimit të personelit shëndetësor të këtyre institucioneve për zbatimin e standardeve të rritjes së fëmijëve. Pajisja e re do t’u shërbejë rreth 200 profesionistëve shëndetësor të KPSh të trajnuar nga OBSh që të zbatojnë në mënyrë të drejtë standardet e rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve në përgjithësi dhe atyre të moshës 0-5 vjeç në mënyrë të veçantë.
Standardet e reja të rritjes së fëmijëve sipas OBSh-së do të sillen edhe më afër profesionistëve shëndetësor përmes panove të plastifikuara me grafikonet e rritjes që do të vendosen në secilën ordinancë mjekësore, të siguruara nga Zyra e OBSh-së në Prishtinë. Kjo do të bëjë të mundur që një personel i aftësuar dhe pajisur siç duhet, të përcjell në vazhdimësi rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç.
Me këtë rast Ministria e Shëndetësisë i shprehë falënderim të veçantë Zyrës së OBSh-së për zhvillimin e këtyre aktiviteteve dhe sigurimin e pajisjes përmes bashkëpunimit të ngushtë me Drejtoratin Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Drejtuesit e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.