Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

OBSH prezantoi draft raportin për Shëndetin Mjedisor

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se raporti paraqet një dokument themelor fillestar mbi aspekte të ndryshme të shëndetit mjedisor, dhe si i tillë adreson disa probleme të rëndësishme, të cilat do të jenë pjesë e politikave shëndetësore të cilat do t’i ndërmarr Ministria e Shëndetësisë.
Ministri Agani tha se MSh është në procesin e reformave substanciale në shëndetësi, të cilat paraqesin një qasje pro-aktive të institucioneve në parandalimin e shumë sëmundje dhe problemeve të lidhura edhe me shëndetin mjedisor,
Hapi i parë, tha ai, në adresimin e këtyre çështjeve është fuqizimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si një institucion bartës i aktiviteteve të fushës së shëndetit publik, që do të përcillet edhe me hapa të tjerë në kuadër të zhvillimit të politikeve të rëndësishme zhvillimore në shëndetësi.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Osnat Lubrani, tha se projekti që ka një qasje multidisiplinare synon të adresojë problemet e shëndetit mjedisor me theks të veçantë në komunën e Fushë –Kosovës dhe të Obiliqit, duke adresuar gjithashtu edhe sfidën se si të bëhen zgjidhje të integruar në favor të shëndetit të komuniteteve.

Prezantimin para të pranishmëve të raportit të misionit në dritën e kornizës strategjike Shëndeti 2020 e kanë bërë Dr. Elizabet Paunovic, menaxhere e Programit-OBSH , Zyra në Bon dhe Dr. Irina Zastenskaya, OBSH-Zyra në Bon.

Misioni është realizuar nga ekspertë të Qendrës Evropiane të OBSh-së për Shëndetin Mjedisor të përkrahur nga stafi i zyrës së OBSh-së në Prishtinë.