Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

OBSH sjell të dielën 10.120 njësi Tamiflu në Kosovë

Këto ilaçe në formën kapsulave, të cilat kanë vlerë prej 155. 342 dollarëve amerikanë, me krejt dokumentacionin përcjellës, arrijnë nga Gjeneva në Prishtinë dhe do të jenë shumë të mirëseardhura për Kosovën, për ta ndihmuar furnizimin e qëndrueshëm me antiviralë kundër A H1N1.

Ministria e Shëndetësisë i ka bërë përgatitjet logjistike për pranimin e këtij donacioni dhe barnat të cilat do të merren do të dërgohen në depon e Ministrisë së Shëndetësisë dhe pastaj do t’u distribuohet sipas nevojave të qendrave spitalore të Kosovës.

Njësitë e reja të Tamiflusë të cilat do të arrijnë të dielën, do të krijojnë mundësi që furnizimi me këtë ilaç të jetë i qëndrueshëm, pasi Ministria e Shëndetësisë kishte siguruar më parë edhe 27500 njësi të tjera të këtij ilaçi, ndërsa donacioni që do të vije, ka afat të përdorimit deri në tetor të vitit 2013.

OBSh është në proces të sjelljes së 220 mijë vaksinave në Kosovë, prej të cilave një pjesë pritet të arrijnë në dhjetor, kurse pjesa tjetër në vitin 2010.

Marrëveshja për këto vaksina është nënshkruar nga drejtoresha e OBSH-së, Margaret Chan dhe ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi.

Kosova është një nga vendet e rralla që do të marr vaksina nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe kjo falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm midis MSH-së dhe OBSH-së.

Ministria e Shëndetësisë falënderon OBSH-në për mbështetjen që po u ofron institucioneve të Kosovës si në asistencën teknike në përballimin e pandemisë së A H1N1, ashtu edhe në zhvillimin e kapaciteteve profesionale për profesionistët kosovarë.