Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Oda e Farmacistëve po mban Konferencën e parë ndërkombëtare në farmaci

Prishtinë, 23 nëntor 2015

 

Zëvendësministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Kadir Hysein, ka marrë pjesë sot në Konferencën e parë Ndërkombëtare të organizuar nga Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) me temën “Edukimi i Vazhdueshëm Profesional-Rruga Drejt Akreditimit”, me pjesëmarrës vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës së farmacisë.

Zëvendësministri Hyseini, duke i siguruar për mbështetje të vazhdueshme nga Ministria e Shëndetësisë për Odën e Farmacistëve dhe të gjitha odat e tjera, ka thënë se “organizimi i konferencave të këtij niveli, tregon se OFK  gradualisht po kalon në një nivel tjetër të organizimit të saj, duke marrë përgjegjësitë që i takojnë me ligj në fuqizimin e komunitetit të farmacistëve të Kosovës”.

Hapjen e Konferencës e ka bërë Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Zehadin Gashi i cili ka paraqitur të arriturat e Odës prej themelimit të saj e deri më tani.

Ai ka theksuar se janë krijuar bashkëpunime me odat e vendeve fqinje si Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Sllovenia dhe Kroacia, e në theks të veçantë vuri Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Federatën Ndërkombëtare te Farmacistëve.

Ai ndër të tjera tha se nuk do të lejojnë assesi që të ketë ndikim politika në vendimet dhe përzgjedhjet e Odës, por shtoi se do të jenë çdo herë të hapur për të gjithë ata të cilët duan të kontribuojnë në funksionalitetin e kësaj ode.

Kryeshefi i Agjencionit për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Jeton Shala, tha se “duke qenë se vet i përkas kësaj lëmie, mundohem që me përkushtimin më profesional  të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimit farmaceutik në vend, që produktiviteti i këtij sektori të jetë sa më i lartë dhe kjo mund të arrihet me një bashkëpunim të mirëfilltë mes nesh”.

Konferencën e ka përshëndetur edhe Kryetari i KQZ-së, Prof. Hysni Bajrami, duke shpreh kënaqësinë e tij për funksionalitetin që ka kjo odë dhe për shenjat që po jep me organizime të tilla për të ardhmen e saj.

Pjesëmarrësit e  konferencës do të kenë rastin të përfitojnë nga ligjëratat e ekspertëve të farmacisë vendore dhe ndërkombëtare të akredituar nga Bordi për Edukim të Vazhduar Profesional (BEVP) i MSH-së, derisa do të pajisen edhe me certifikatë me 8 kredi.