Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Oda e Fizioterapeutëve zgjodhi nënkryetarët si dhe Këshillin Drejtues dhe Këshillin Mbikëqyrës

Prishtinë, 28 shtator 2015

Në Kuvendin e II të Odës së Fizioterapeutëve  të Kosovës, me propozim të kryetares së kësaj ode, znj. Dafina Ibrahimit dhe me votim nga anëtarët e këtij Kuvendi,  u zgjodhën sot dy nënkryetarët e saj, Irfan Halimi  dhe Burim Fekaj, si dhe anëtarët e Këshillit Drejtues dhe Këshillit Mbikëqyrës.

Kuvendi i Odës është përshëndetur nga Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, dr. Gani Shabani, i cili përgëzoi komunitetin e fizioterapeutëve  të Kosovës për zgjedhjen e organeve të Odës së tyre.

Ndërkaq, për ecurinë e Kuvendit të II të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës ka folur kryetari i KQZ-së për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, profesori Hysni Bajrami.

Kryetarja Znj. Dafina Ibrahimi, tha se për të çuar para proceset shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e Odës së Fizioterapetëve të përcaktuara nga Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, “ne duhet të formojmë këshille dhe komisione me qëllim të ndarjes së detyrave, gjë që neve na mundësojnë punë më të efektshme, dhe më lehtë të realizueshme”.

Ne, tha ajo,  do të punojmë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë që t’i marrin përgjegjësitë tona dhe gradualisht edhe kompetencat, me qëllim të funksionalizimit të plotë të kësaj ode, në këtë aspekt shpresojmë se do të kemi bashkëpunim të ndërsjellët me MSh-në.

Në Kuvendin e II-të të Odës së Fizioterapeutëve , u zgjodhën edhe anëtarët  për Komisionin e Statutit dhe Rregullores së Odës si dhe për Komisionin për emblemën e kësaj ode.