Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Oda e Mjekëve miratoi Statutin e saj

Prishtinë, 22 tetor 2015

Në Kuvendin e V-të të punës, të mbajtur sot në Prishtinë, me shumicë votash, Oda e Mjekëve të Republikës së Kosovës miratoi Statutin dhe logon e saj.

Duke përshëndetur punimet e këtij Kuvendi, Zëvendësministri i Shëndetësisë, dr. Izet Sadiku, tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që të mbështes punën e të gjitha Odave profesionale të themeluara sipas ligjit.

Ai tha se Ministria me ndihmën edhe të Ministrisë së Administratës Publike ka siguruar hapsira të reja ku do të vendosen një pjesë e odave, ndërkohë që ka theksuar, se Ministria ka rekomanduar që bartja e përgjegjësive te Oda e Mjekëve të shkoj në proporcion me zhvillimin e tyre.

Duke ju përgjigjur kritikave se MSh nuk ka mundësuar funksionalizimin e plotë të Odës së Mjekëve, Zëvendësministri Sadiku tha se MSh-ja ka ndërmarra veprime në harmoni me ligjet në fuqi dhe se miratimi i Statutit krijon bazë për ecje më të shpejtë më tej në funksionalizimin e Odës së Mjekëve.

Ai theksoi se odat e tjera kanë ecur më shpejt në funksionalizimin e tyre se sa Oda e Mjekëve dhe se nga MSh-ja nuk ka as edhe një tendencë që të vonohet puna në funksionalizimin e asnjë ode.

Kryetarja e Odës së Mjekëve, dr. Zylfije Hundozi, i ka njoftuar anëtarët e Kuvendit të Odës me krejt atë cfarë ka bërë kjo odë prej themelimit e deri tani, ndërkohë që ka qenë kritike ndaj Ministrisë për bartje të kompetencave dhe funksionalizim të Odës.

Ajo theksoi se Oda e Mjekëve deri tash ka zhvilluar kontakte me rreth 20 oda të tjera, ndërohë që ka theksuar edhe dukuritë e ndryshme, të cilat kanë pasur të bëjnë me akuzat e ndryshme ndaj mjekëve, duke shprehur kritika për keqpërdorimin e situatave të ndryshme me qëllim të denigrimit të mantelbardhëve duke i ekspozuar ata para opinionit publik për shkelje të ndryshme të supozuara, por të pavërtetuara nga gjykatat.

Në këtë Kuvend, anëtarët e Kuvendit kanë zhviluar debat rreth mënyrës së funksionalizimit më të shpejtë të kësaj ode si dhe kanë bërë disa plotësime në organet e Odës.