Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Pandemia (H1N1) 2009 – Çështjet thelbësore për menaxhimin e rastit

 

Përshkrimi i rastit: skenarët e mundshëm

Gripi pa ndërlikime

  • Simptoma gripoze: ethe, kollë, dhembje fyti, rrjedhje hundësh, kokë dhembje, dhembje muskujsh, dobësi, por nuk ka frymëzënie e as dispne.
  • Sëmundje gastrointestinale siç janë diarrea dhe/ose vjellja, sidomos tek fëmijët, por pa shenja të dehidrimit.

Gripi i rëndë apo i bashkëshoqëruar me ndërlikime

  • Shenjat klinike dhe radiologjike të sëmundjes së traktit të poshtëm respirator: frymëzënie, dispne, tahipne, hipoksi, ndryshime në sistemin nervor qëndror, dehidrim i rëndë ose ndërlikime sekondare të sëmundjes, pamjaftueshmëri e veshkave, pamjaftueshmëri e shumë organeve dhe shok septik.
  • Përkeqësim i sëmundjeve prezente kronike, siç janë: astma, sëmundjet kronike obstruktive e mushkërive, pamjaftueshmëria kronike e mëlçisë ose veshkave, diabeti ose sëmundjet e tjera të sistemit kardiovaskular.
  • Çfarëdo gjendje tjetër ose shfaqje klinike që kërkon hospitalizimin e pacientit për menaxhimin e tij klinik.

Shenjat dhe simptomat e sëmundjes progresive

  • Shenjat dhe simptomat që sugjerojnë pamjaftueshmërinë kardiopulmonale: frymëzënie, mavijosje, këlbazë e përgjakur apo me ngjyrë, dhembje gjoksi dhe hipotension. Te fëmijët, frymëmarrje e shpejtuar dhe e mundimshme. Hipoksia e indikuar me oksimetri pulsuese.
  • Simptomat dhe shenjat që sugjerojnë ndërlikimet e SNQ: çrregullimi i statusit mendor, humbje e vetëdijës, përgjumja, ose vështirësi në të zgjuar; konvulsione të përsëritura, konfuzion, dobësi e rëndë ose paralizë.
  • Dëshmi e shumëzimit të qëndrueshëm të virusit ose infeksion invaziv dytësor me baktere: bazuar në testet laboratorike ose shenjat klinike (p.sh. temperaturë e lartë dhe e vazhdueshme dhe simptoma të tjera që zgjasin më shumë se 3 ditë).
  • Dehidrim i rëndë: ulje e aktivitetit, marramendje, ulje e sasisë së urinës, përgjumje.

Diagnoza:

  • Në nivel individual të pacientit, gripi pa ndërlikime mund të diagnostikohet duke u bazuar në shenjat dhe simptomat e sëmundjes dhe duke pasur në dijeni se tashmë gripi është prezent në komunitet.
  • Testet diagnostike, nëse janë në dispozicion, duhet të kenë prioritet për ata pacientë tek të cilët vërtetimi i infeksionit me grip mund të ndikojë në menaxhimin klinik të tyre, përfshirë pacientët që konsiderohen se janë në rrezik dhe/ose ata me sëmundje respiratore të ndërlikuar, të rëndë dhe progresive.

Rekomandime të përgjithshme:

  • Të gjithë pacientët duhet udhëzuar që të vizitohen përsëri te mjeku, nëse zhvillojnë çfarëdo shenje apo simptomë të sëmundjes progresive apo nuk kanë përmirësim brenda 72 orësh pas shfaqjes së simptomave.
  • Vendimet për fillimin e terapisë duhet të bazohen në pasqyrën klinike dhe të dhënat epidemiologjike. Terapia kurrsesi nuk bën të vonohet për t’i pritur rezultatet e laboratorit.
  • Tek pacientët që kanë sëmundje të rëndë ose progresive, siguroni mbikqyrjen e vazhdueshme të shenjave vitale, p.sh temperatura, shtypja e gjakut, pulsi, numri i frymëmarrjeve, shkalla e vetëdijës, shenjat klinike të dehidrimit apo shokut dhe ngopja me oksigjen (oksimetria pulsuese ose analizat e gazrave në gjak).

Terapia antivirale

  • Pacientët që i përkasin grupeve të rrezikuara (p.sh. shtatzënat, foshnjat, fëmijët e vegjël dhe personat me probleme kronike të mushkërive) dhe që s’kanë ndërlikime të sëmundjes të shkaktuar nga infeksioni me virusin e gripit, duhet të trajtohen me oseltamivir ose zanamivir. Trajtimi duhet të fillojë menjëherë pas shfaqjes së simptomave.

Oseltamivir

  • Doza tradicionale e oseltamivirit është 75 mg, 2 herë në ditë (për 5 ditë me rradhë). Mirëpo, me qëllim të kufizimit të përhapjes së thërmizave virale, të sigurimit të terapisë agresive antivirale në doza terapeutike, klinicistët mund të përdorin edhe doza më të larta – deri në 150 mg 2x / ditë dhe në kohëzgjatje më shumë se 5 ditë.

Dozat e rekomanduara:

Motakët(fëmijët nën 1 vjeç):

  • 0 – 1 muaj: 2 mg/kg, 2 herë në ditë
  • >1 – 3 muaj: 2.5 mg/kg, 2 herë në ditë
  • >3 -12 muaj: 3 mg/kg, 2 herë në ditë

Fëmijët mbi 1 vit, fëmijët 2-12 vjeç dhe të rriturit:

  • ≤15kg peshë: 30 mg, PO, 2x në ditë, për 5 ditë
  • 15-23kg: 45 mg, PO, 2x në ditë, për 5 ditë
  • 24-40kg: 60 mg, PO, 2x në ditë, për 5 ditë
  • >40kg: 75 mg PO, 2x në ditë, për 5 ditë

Vërejtje:

  1. Trajtimi duhet të fillojë brenda 48 orësh pas shfaqjes së simptomave, por mund të aplikohet edhe në cilindo stad të sëmundjes aktive.
  2. Nëse klirensi i kreatininës është <30 ml/min, duhet të merret në konsideratë redukimi i dozës së oseltamivirit.
  3. Tek pacientët me sëmundje të rëndë ose progresive, që nuk përgjigjen në regjimin normal terapeutik, duhet përdorur doza më të larta të oseltamivirit dhe kohë më e gjatë e terapisë.
  4. Nëse rreziku i përhapjes së gripit prej njeriut në njeri është i lartë dhe gjasat e shfaqjes së ndërlikimeve të infeksionit janë të larta, atëherë oseltamiviri dhe zanamiviri mund të përdoren si kimioprofilaksë pasekspozuese për komunitetin apo grupet e prekura, personat e rrezikuar ose punëtorët shëndetësor.
  5. Nëse gjasat e shfaqjes së ndërlikimeve të infeksionit janë të ulta, atëherë nuk duhet dhënë kimioprofilaksa antivirale për grupet “në rrezik” ose punëtorët shëndetësorë.
  6. Shtatzënat dhe fëmijët nën moshën 1 vjeçare që kanë sëmundje pa ndërlikime si rrjedhojë e infeksionit me virusin e gripit, nuk duhet të trajtohen me amantadinë ose rimantadinë.