Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Përforcohen masat shëndetësore në burgjet e Kosovës

Përforcohen masat shëndetësore në burgjet e Kosovës

Në burgjet e Kosovës janë duke u zbatuar masat kundër epidemike si DDD, kontrollimet sanitare dhe mbikëqyrja e shtuar e higjienës si pasojë jo vetëm e një rasti të shfaqur kohë më parë dhe të izoluar menjëherë të Tuberkulozit në Burgun e Lipjanit,  por edhe të helmimit të më hershëm në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc, masat kundër Gripit nga virusi AH1N1, duke u zbatuar kështu rekomandimet e dhëna nga Inspektorati Sanitar

Prishtinë, 13 mars 2014

Bazuar në paraqitjen kohë më parë të një rasti me Tuberkuloz (TB) në Burgun e Lipjanit  si dhe me masat e ndërmarra për menaxhimin e tij,  si dhe parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje specifike në burgje, përpos masave të tjera kundër epidemike që janë në vazhdimësi, nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DShB) i Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet e burgjeve të Kosovës, janë ndërmarrë këto ditë një varg veprimesh si: aplikimi i  masave të menjëhershme të nevojshme mjekësore nga ana e mjekut përgjegjës të burgut, informimi i konsultantit për Pulmologji në kuadër te DShB, i cili një herësh është edhe Koordinator regjional për TBC në Pejë, që të marrë përsipër menaxhimin dhe organizimin e punës rreth përpunimit të kontakteve dhe zbatimit të masave parandaluese kundër TB në burgje.

Me këtë rast, Koordinatori ka formuar Grupin punues me të cilin, në bashkëpunim me Burgun e Lipjanit dhe QKMF në Lipjan, kanë mbështetur përpunimin e rasteve të kontaktit për TB.

Stafi mjekësor i Burgut të Lipjanit dhe Shërbimi Korrektues kanë dhënë mbështetjen e nevojshme, për të zbatuar rekomandimet e raportit të Grupit punues, ndërkohë që në të gjitha burgjet janë zbatuar masat kundër epidemike si DDD, kontrollimet sanitare dhe mbikëqyrja e shtuar e higjienës dhe procedurave të tjera, në pajtueshmëri edhe me rekomandimet e Inspektoratit Sanitar për ngritjen e nivelit të higjienës në burgje.

Grupi punues ndërkaq ka kryer të gjitha ekzaminimet e duhura në mënyrë profesionale për parandalimin e TBC në Burgje dhe ka ndërmarrë masat e duhura për izolimin e rastit të tuberkulozit, të shfaqur në Burgun e Lipjanit, që në fakt ka qenë një rasti me Tuberkuloz,   i riaktivizuar.

Nuk është evidentuar asnjë rast TB pozitiv nga kontaktet e përpunuara.