Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Përurohen në Spitalin e Gjilanit Pulmologjia, Laboratori i Patologjisë dhe Radiologjia të rinovuara

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, bashkë me Ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë z. Eric Ditz dhe drejtorin  e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit,  dr. Arsim Emini, kanë përuruar sot repartin e renovuar të Pulmologjisë, Laboratorin e Patologjisë dhe pjesës së rinovuar të Radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Ky rinovim është bërë me ndihmën e Qeverisë së Luksenburgut.

Në këtë përurim, morën pjesë edhe u.d. drejtoresha e SHSKUK-së, dr. Pranvera Zejnullahu-Raçi, kryetarja e Bordit të SHSKUK-së, dr. Aida Rexhepi, anëtarja e bordit të SHSKUK-së, dr. Agreta Gecaj- Gashi dhe kryetari i komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni.

Me këtë rast, ministri Latifi tha se dita e sotme është një moment i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunën e Gjilanit, pasi që pacientët do të kenë kushte dhe shërbime më të mira për trajtimin e problemeve shëndetësore.

“Ky monument është shumë i rëndësishëm edhe për përmirësimin e kushteve të punës për mjekët, infermierë dhe stafin mbështetës, e njëkohësisht edhe për shërbime sa më të mira për qytetarët e Gjilanit me rrethinë. E gjitha kjo, është në frymën e angazhimeve tona për transformimin e sistemit shëndetësor në vend”, tha ministri Latifi.

Për këtë moment shumë të veçantë, ku sot po inaugurojmë repartin e rinovuar të Pulmologjisë, Laboratorit të Patologjisë dhe pjesës së rinovuar të Radiologjisë, theksoi më tej ministri Latifi, “falënderoj shumë Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, të cilët financuan këtë projekt, që për rezultat do të ketë avancimin e shërbimeve mjekësore, rritjen e sigurisë e cilësisë së shërbimeve për pacientit dhe ngritjen e motivimit për personelin shëndetësor”.

Ky investim, tha ai, dhe shumë investime tjera që ka bërë Qeveria e Luksemburgut, si pjesë e aktiviteteve të projektit “Programi mbështetës për shëndetësinë në Kosovë KSV 017”, tregon më së miri se bashkëpunimi i mirë që ka Kosova dhe institucionet e saj me Qeverinë e Luksemburgut, përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët tanë. Prandaj, sot nga ky vend ju themi faleminderit taksapaguesve të Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme, të cilën e vlerësojmë shumë dhe të cilën jam i bindur se do ta arsyetojmë me punë”, tha mes tjerash ministri Latifi.