Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Përurohet Instituti i Psikiatrisë Mjeko- Ligjore të Kosovës

Prishtinë, 13 maj 2014

Zyra e BE-së në Kosovë, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, ka shënuar sot një fillim të ri për Psikiatrinë Mjeko-Ligjore në Kosovë, përmes inaugurimit të ndërtesës së Institutit të Psikiatrisë Mjeko-Ligjore të Kosovës (IPMLK).
Përkrahja e BE-së në këtë fushë ka përfshirë një projekt për asistencë teknike që ka pasur për qëllim themelimin e IPMLK-së, trajnimin e stafit profesional të sapo-angazhuar dhe udhëzimin për funksionimin operacional të këtij instituti.
Christof Stock, shef i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, shprehu vlerësimin e Zyrës së BE-së për angazhimin e jashtëzakonshëm të treguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Drejtësisë gjatë implementimit të këtij projekti.
“Kosova ka themeluar këtë institut të psikiatrisë mjeko-ligjore, i cili ka qenë aq i nevojshëm dhe i cili do të kontribuojë në implementimin e duhur të masave gjyqësore, dhe për më tepër, në respektimin e plotë të të drejtave të njeriut në këtë sektor specifik”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se ky është institucion tejet i rëndësishëm për bashkëveprimin ndër disiplinar të shëndetësisë dhe të sistemit të drejtësisë.
“Institucion me rëndësi të madhe shtetërore që i ka munguar shumë Kosovës në këto 15 vitet e pasluftës. Institucion me të cilin po mbushet një hendek i madh i cili ka ndikuar edhe në trajtimin, edhe në diagnostifikimin adekuat të qytetarëve të vendit të cilët për arsye të ndryshme shëndetësore kanë ardhë në konfrontim me rregullin ligjor”, ka thënë Agani.
Ky projekt është pjesë e mbështetjes së përgjithshme të BE-së për sektorin e sundimit të ligjit. Qëllimi kryesor i mbështetjes në këtë sektor është fuqizimi i institucioneve për sundimin e ligjit në Kosovë për të qenë në përputhshmëri me standardet e BE-së dhe kërkesat e procesit të përafrimit me BE-në.
Ndërtesa e Institutit të Psikiatrisë Mjeko-Ligjore të Kosovës ndodhet në kuadër të Qendrës së Klinikës Universitare të Kosovës, afër shërbimeve të tjera mjekësore. Ky institut është pjesë e strukturave institucionale mjekësore që menaxhohen nga Ministria e Shëndetësisë. Përveç kësaj, ky institut, për shkak të mandatit dhe rolit të tij, do të përfshijë edhe përfaqësuesit e Shërbimit Korrektues të Kosovës, në kuadër të strukturës institucionale të Ministrisë së Drejtësisë.