Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Përurohet reparti i rinovuar i Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit, me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut

Dita e sotme është një moment i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e shëndetësisë jo vetëm në Prizren, por edhe më gjerë, pasi që pacientët do të kenë kushte dhe shërbime më të mira për trajtimin e problemeve shëndetësore që ata kanë. Është në frymën e angazhimeve tona për transformimin e Kirurgjisë në Kosovë dhe vet sistemit shëndetësor.

Kështu tha sot Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, dr. Rifat Latifi, me rastin e përurimin e repartit të rinovuar të Kirurgjisë në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, në një ceremoni ku m morën pjesë edhe  Ambasadorja e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë,  Znj. Natasha Gomes, si dhe përfaqësues të Zyrës Zhvillimore të Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë Lux-Dev.

Ministri Latifi falënderoi Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, të cilët financuan këtë projekt që, sipas Ministrit, për rezultat do të ketë avancimin e ndërhyrjeve kirurgjike, rritjen e sigurisë e cilësisë për pacientit dhe ngritjen e motivimit për personelin shëndetësor.  

“Ky investim dhe shumë investime tjera që ka bërë Qeveria e Luksemburgut, si pjesë e aktiviteteve të projektit Programi mbështetës për shëndetësi në Kosovë, tregon më së miri se bashkëpunimi i mirë që ka Kosova dhe institucionet e saj me Qeverinë e Luksemburgut, përkthehen në përfitime për qytetarët tanë, theksoi Ministri Latifi.

Ambasadorja e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë. Znj. Natasha Gomes, tha se rinovimi i këtij reparti është shembull i modernizimit të shërbimeve shëndetësore për qytetin e Prizrenit dhe më gjerë.Ajo tha se bashkëpunimi i tillë ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve – pacientëve , që të kenë shërbime më të mira, e po ashtu edhe stafi shëndetësor kushte më të mira për punë.

Drejtori i SHSKUK-së, dr. Valbon Krasniqi falënderoi donatorin për kontributin në përmirësimin e kapaciteteve spitalore në Komunën e Prizrenit dhe në njësitë e tjera të SHSKUK-së.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit “Prim. Dr. Daut Mustafa”, Dr. Afrim Avdaj, pasi falënderoi Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen që ka ofruar ndër vite për këtë spital, tha se sot është një ditë shumë e madhe dhe e veçantë për të gjithë, për mjekët, infermierët, dhe më e rëndësishmja për qytetarët e Prizrenit, të cilët do të kenë trajtim dhe shërbime shumë më të mira.

Përveç këtij projekti, tha ai, menaxhmenti i spitalit të Prizrenit ka edhe shumë projekte të cilat do të realizojmë bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe donatorët e ndryshëm.

Rinovimi i Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit, është pjesë e aktiviteteve të projektit “Programi mbështetës për shëndetësi në Kosove – faza II- KSV/017”, i cili financohet nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.