Ministri i Shëndetësisë, z. Uran Ismaili është shprehur i lumtur që i është dhënë fund zvarritjeve në ndërtimin e spitalit, i cili pas 24 muajsh do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për fëmijë.
Prishtinë, 15 gusht 2018
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, z. Uran Ismaili ka vizituar të mërkurën lokacionin ku ka nisur ndërtimi i Spitalit Pediatrik dhe Kirurgjisë së fëmijëve në kompleksin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ai është shprehur i lumtur që iu është dhënë fund zvarritjeve në realizmin e këtij projekti, dhe se pas 22 muajsh shteti i Kosovës do të ketë një spital modern që do t’i integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për fëmijë brenda një institucioni.
“Ky është një projekt, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, gurthemeli i së cilit është vendosur disa vite më herët, por që nuk ka mundur të filloj punën si është dashur. Ne i kemi shtuar përpjeket tona që t’i kryejmë të gjitha procedurat, kemi kontaktuar me donatorin kryesor dhe me konsorciumin e tyre që kanë qenë mbikëqyrës gjerman dhe kemi arritur të zhbllokojmë procesin”, tha ministry Ismaili.
Ai shpjegoi se Spitali pediatrik-kirurgjik do jetë modern do të ketë pajisje moderne: 10 mijë metra katrorë hapësirë, 100 shtretër, donacion në vlerë prej milionë eurove dhe më se i nevojshëm.
“Projekti është i paraparë të kryhet për 22 muaj, objekti do jetë me ura lidhëse me klinika, projekt i çmueshëm për fëmijët tanë, me kualitet të lartë si ndërtime dhe pajisje moderne”, tha ministri Ismaili.
Drejtori i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, tha se nevoja për këtë Spital ka qenë e madhe meqë shumë fëmijë kanë nevojë për trajtim.
“Përfundimi i punimeve pas 22 muajve, do të mundësoj kushte shumë të mira, duke llogaritur edhe infrastrukturën tjetër përcjellëse në të gjitha hapësirat e QKUK-së, do jetë kompletim i infrastrukturës dhe me pajisje dhe fëmijët do të gjejnë trajtim më të lehtë”, tha ai.
Në spitalin pediatrik dhe të kirurgjisë së fëmijëve do të ofrohen shërbimet pediatrike, shërbimet e kirurgjisë pediatrike, hemato – onkologjia e fëmijëve, diagnostika, shërbimet emergjente si dhe shërbime të tjera.
Spitalit Pediatrik Kirurgjik është projekt që do të kushtojë rreth 20 milionë euro, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe i ndarë për Republikën e Kosovës më 2015, ndërsa simbolikisht, gurthemeli i spitalit ishte vendosur në mars 2016.