Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Prezantohet Analiza e situatës në SHSKUK dhe planet strategjike të Spitalit të Prizrenit dhe Gjilanit

Prezantimet kanë qenë pjesë e “Programi mbështetës për shëndetësi në Kosovë – faza II-KSV/017”

Ministria e Shëndetësisë dhe projekti “Programi mbështetës për shëndetësi në Kosovë – faza II-KSV/017” kanë prezantuar rezultatet e hulumtimit ”Analiza e situatës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK)” si dhe prezantimin e planeve strategjike të Spitalit të përgjithshëm të Prizreni dhe Gjilanit, më 11 prill 2017.

Pjesëmarrësit në këtë takim: përfaqësuesit e MSh-së, SHSKUK-së, Spitalit të Prizrenit e Gjilanit dhe të institucioneve të tjera, i ka përshëndetur Ambasadorja e Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, Znj. Anne Dostert, e cila ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Luksemburgut për të ndihmuar MSH-në dhe sektorin e shëndetësisë në ngritjen e kapaciteteve për zhvillimin e reformës shëndetësore.

Qëllimin e prezantimit të studimeve të prezantuara e ka shpjeguar udhëheqësja e projektit “Programi mbështetës për shëndetësi në Kosovë – faza II-KSV/017”, znj. Afërdita Ademi – Osmani – Udhëheqëse e projektit, ndërsa rezultatet analizës së situatës në shërbimin spitalor klinik dhe universitar të Kosovës e ka prezantuar Prim. Dr. Dorjan Marushiq.

Analiza tregon për ndarjen e buxhetit për shëndetësinë, kapacitetet spitalore dhe shfrytëzimin e tyre, pajisjet, resurset profesionale, mbulimin e banorëve kosovarë me profesionistë shëndetësorë. Shkallën e shtrimit në spital, numrin e shtretërve , të dhënat perinatale, numrin e pacientëve të shtruar e trajtuar në spitale, numrin e referimeve dhe indikatorë të tjerë shëndetësor.

Gjithashtu, në këtë takim, përfaqësuesit e spitalit të Prizrenit dhe të Gjilanit kanë prezantuar planet e tyre strategjike të hartuara bazuara në Strategjinë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021.