Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Prezantohet raporti fillestar i studimit të fizibilitetit për dhjetëra milionë euro investime në shëndetësi

Studimi ka për qëllim të vlerësojë gjendjen ekzistuese të infrastrukturës së pajisjeve mjekësore në kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor në Kosovë dhe nevojat për: pajisje të reja; staf shtesë profesional; trajnime specifike të stafit për përdorimin e pajisjeve; mbështetje teknike dhe material shpenzues për pajisjet dhe do t’i hapë rrugë projektit për investime milionëshe për blerjen e pajisjeve mjekësore.

Prishtinë, 5 korrik 2018

Në prezencë të Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Integrimit Evropian dhe përfaqësuesve të SHSKUK, sot në Ministrinë e Shëndetësisë nga ekipi i ekspertëve që kanë ardhur nga Evropa në Kosovë, është prezantuar raporti fillestar i projektit të studimit të fizibilitetit të pajisjeve për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Ministri Ismaili tha se ky projekt ka rëndësi shumë të madhe për përmirësimin e gjendjes në sistemin shëndetësor, me theks të veçantë na tregon për nevojat që ka SHSKUK-ja.

“Me sigurimin e këtyre pajisjeve mjekëve tanë do t’ju krijojmë kushte më të mira për punë, ndërsa qytetarëve tanë shërbime shëndetësore më cilësore”.

Projekti ka për qëllim të vlerësojë gjendjen ekzistuese të infrastrukturës së pajisjeve mjekësore në Kujdesin Dytësor dhe Tretësor shëndetësor në Kosovë dhe nevojat për: pajisje të reja; staf shtesë profesional; trajnime specifike të stafit për përdorimin e pajisjeve; mbështetje teknike dhe material shpenzues për pajisjet.

Studimi do t’i hapë rrugë projektit prej dhjetëra milionë eurosh për blerjen e pajisjeve mjekësore.

Ndërsa, në gjysmën e vitit 2019 Ministria e Shëndetësisë, do ta ketë gati marrëveshjen për financim, ku do të investohet në spitalet e vendit.

Synimi i këtij projekti është që në një periudhë afatmesme të adresohet problemi me pajisje mjekësore në institucionet shëndetësore.