Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Promovohet Karta e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë

Prishtinë, 18 prill 20124

 

Organizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve “PRAK”, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) u shënua 18 prilli-Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientëve, me temën “Të jesh pacient sot”!.

Në këtë takim, u promovua edhe Karta e re e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, e nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve “PRAK.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani tha se Dita e të Drejtave të pacientëve shënon njërin prej momenteve shumë të rëndësishme  sa i përket të drejtave të tyre që paraqet preokupimin themelor të institucioneve.  Duke iu referuar Ligjit për të Drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në Kujdesin shëndetësor,  të nxjerrë më 2004, ai tha se kjo tregon që Kosova ka treguar një vigjilencë në aspektin institucional ndaj pacientëve, por theksoi se ekziston shumë hapësirë që shumë aspekte të përmirësohen dhe se vënia e theksit te pacienti, paraqet politikë të drejtë në rrugën e reformës shëndetësore.

 

Ministri tha se krijimi i infrastrukturës ligjore si Udhëzimeve Administrative për kartën e të Drejtave të pacientëve 15/2013 dhe atij për linjan falas për ankesat e qytetarëve 19/2013, tregojnë që pacienti dhe shqetësimet e tij po vihen në plan të parë, duke theksuar se ka edhe shumë punë për t’u bërë me qëllim të informimit më të mirë të pacientëve de të përmirësimit të komunikimit në relacionin mjek-ofrues i shërbimeve shëndetësore. “MSh ka filluar reformën shëndetësore dhe kjo reformë do të ketë në qendër të vëmendjes pacientin..”, tha ai.  Ministri Agani ka kërkuar që në këtë aspekt të ketë angazhim të përbashkët midis institucioneve qeveritare dhe jo qeveritare dhe se rezultatet, por edhe mungesat të analizohen me sy kritik. Ai tha se hulumtimet shkencore kanë treguar se shumica e pacientëve në Kosovë janë të kënaqur me shërbimet shëndetësore, por preokupim mbetet që pjesa tjetër, të bëhen përmes ofrimit të shërbimeve cilësore që të ndihen mirë me profesionistët kosovarë dhe të jenë të kënaqur me shërbimet e tyre.

 

Besim Kodra , Drejtor ekzekutiv i PRAK, ka theksuar se pas formimit të kësaj shoqate, është rritur niveli i artikulimit të kërkesave të pacientëve , duke theksuar se të jesh sot pacient, kudo në botë dhe në Kosovë nuk është gjë e lehtë për t’u përballuar. “Ministri Agani ka filluar një reformë madhore shëndetësore për çka do të mbahet mend mirë duke provuar që kompetencat menaxheriale t’i bart në institucione dhe te profesionistët, por edhe më tej mbesin sfida mosnjohja sa duhet e pacientëve me të drejtat e tyre dhe çështje të tjera. Në shumë vende janë krijuar Ombudspersona për të drejtat e pacientëve, ndërsa sa më shumë ankesa që të ketë prej pacientëve, kjo do të thotë se pacientët po vetëdijesohen”, tha ai.

 

Shefi i OBSH-së në  Kosovës dr. Skënder Syla tha se të jesh sot pacient, do ta thotë ta kesh ndjenjën e dyfishtë të frikës nga sëmundja dhe trajtimi. Ai ka theksuar se përmirësimi i aspektit të komunikimit midis pacientëve dhe ofruesve të shërbimeve shëndetësore ka një rëndësi të madhe edhe në tejkalimin e perceptimeve që lidhen me humbjen e besimit. Ai ka spikatur përvoja të mira dhe negative në rrafshin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, por ka shprehur bindjen se është obligim individual dhe profesional i secilit që t’i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë për të pasur trajtim të sigurt dhe besim të pacientëve në ofruesit e shërbimeve.

 

Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se ky institut do të angazhohet edhe në të ardhmen në fushën e hulumtimeve profesionale sa i përket satisfaksionit të pacientëve, ndërsa drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Njazi Gashi, tha se kjo qendër, përkundër vështirësive dhe kufizimeve që i ka, ka arritur që vetëm gjatë vitit të kaluar, të ofrojë shërbime, që nëse do të konvertoheshin në vlerën e çmimit të tregut, do të shkonte në një miliardë euro.

 

Me diskutime në këtë shënim kanë kontribuar edhe drejtori i OJQ “Konsumatori” Selatin Kaçaniku që ka theksuar nevojën e vetëdijesimit më të madh të qytetarëve për të drejtat e tyre, kryesuesi i SHSKUK-së, Jusuf Dedushaj, Dr. Sami Salihu, etj.

 

Në këtë takim, nga PRAK me “Çmimim e Pacientit” është nderuar prof. dr. Mazllum, Belegu për kontributin e tij në trajtimin e fëmijëve më sëmundje të rënda falas jashtë vendit.