Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Qëndrim i Sekretarit të Përgjithshëm të MSh-së rreth disa shkrimeve në media

 

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, ndërlidhur me disa shkrime të ndryshme në media kohëve të fundit,  shpreh shqetësimin e tij për tentimin që po bëhet nga autorët e tyre që të implikojnë anëtarët e familjes së tij në çështje zyrtare, në mënyrë jo etike dhe me qëllime të caktuara.

Duke shprehur gatishmërinë e tij që të bashkëpunojë me media sikurse edhe deri më tani, ai bën thirrje që gazetarët të mos shërben me gjysmë-informata, në shumë raste të plasuara nga grupe të caktuara të interesit, të cilave u është ndërprerë financimi i kundërligjshëm në segmente të ndryshme në shëndetësi dhe si hakmarrje po provojnë të nxisin mediat kundër tij.

“Është krejtësisht joprofesionale tendenca që emërimet e zyrtarëve në pozicione që nuk janë kompetencë e tij sikur është rasti i kryeshefit të AKPM-së dhe të tjera, të provohet të paraqiten si emërime të bëra prej Sekretarit apo të krijohet ndërlidhje midis njerëzve që bartin funksione të ndryshme, duke provuar me çdo kusht që ata të prezantohen si familjarë të mi. Me përgjegjësinë e plotë, deklaroj se asnjë zyrtar i lartë në asnjë nivel të shëndetësisë kosovare, nuk ka asnjë lidhje të kaluar apo të tashme me familjen time që të konsiderohet familjar i imi”.

Kulmi i këtij presioni është shkrimi i sotëm në një të përditshme kosovare, ku ndaj Sekretarit hedhen akuza në nivel të thashethemeve, të nxitura nga grupe të caktuara dhe për më tepër, të njëjtat botohen me nxitim,  në mënyrë tejet joprofesionale, jo etike dhe pa pritur që të dëgjohet edhe pala tjetër se çfarë ka për të thënë.

Sekretari konsideron se ky lloj presioni nuk prodhon asgjë të mirë, as për autorët e këtyre shkrimeve, redaksitë respektive, nxitësit e tyre e as për shëndetësinë kosovare.

Me lutjen që e vërteta të nxirret duke ballafaquar me durim argumentet e jo thashethemet e niveleve të ulëta, Sekretari Tolaj mirëpret bashkëpunimin me media, duke rikujtuar se është obligim i institucioneve që të kultivojnë transparencën në çdo rrethanë përballë publikut, sikurse që është obligim edhe i mediave, që të respektojnë Kodin e punës së tyre.