Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

QSUT do të ndihmojë QKUK-në në fushën e kardiokirurgjisë

Prishtinw, 07.11,2014

Është nënshkruar sot marrëveshja ndërmjet Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Qendrës Spitalor Klinike Universitare të Tiranës, në lidhje me ofrimin e shërbimeve kardiokirurgjike nga ekspertët e QSUT në kuadër të shërbimit të kardiokirurgjisë në QKUK.   Nënshkrimin e marrëveshjes e bënë  Drejtori i SHSKKUK, Dr. Curr Gjocaj dhe  Znj. Ogerta Manastirliu.Me këtë rast, Drejtori SHSKUK-së, Dr. Curr Gjocaj,  tha se  kjo marrëveshje është nënshkruar si fryt i bashkëpunimit ndërmjet  dy Qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në anën tjetër Znj. Ogerta Manastirliu, Drejtoreshë e QSUT, tha se sot po konkretizohet marrëveshja mes dy qeverive.   “ Përmes  kësaj marrëveshje është bërë  mundur mbështetja   profesionale në fushën e kardiokirurgjisë, duke shkëmbyer  eksperiencat dhe  ekspertizat”, theksoi ajo.  Sipas saj, kardiokirurgët nga QSUT do të jenë të gatshëm dhe në  gatishmëri për të ofruar ekspertizën në të mirë të cilësisë së shërbimeve  shëndetësore,   duke garantuar  profesionalizëm.  “ Ekipet do të jenë të gatshme të ofrojnë ndihmën në të gjitha rastet që paraqiten  tek ju së bashku me stafin tuaj”, përfundoi Znj. Manastirliu.

Dr. Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës,  tha se kjo  marrëveshje  paraqet dëshmi konkrete të vazhdimit të bashkëpunimit të institucionalizuar me 11 janar nga ana e dy qeverive, po ashtu edhe marrëveshjes që pati  nënshkruar me Ministrin Beqja.” Këto marrëveshje vunë themelin e bashkëpunimit i  shëndetësi  me prioritetet  e caktuara nga dy ministritë, zhvillimi i   këtyre  shërbimeve ka paraqitur  prioritet të madh, meqë këto sëmundje paraqesin mortalitet të madh “, u shpreh Ministri Agani.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Z. Qemajl Minxhozi, tha se kemi të bëjmë me një moment të rëndësishëm.    “Jemi  në një moment të rëndësishme në konkretizimin e asaj që kemi thënë para 5 muajve  që kemi thënë se QSUT dhe QKUK do të hapin një program afatgjatë për ndërhyrje kardiokirurgjike, moment që do vlerësuar gatishmërinë e dy ministrive”, theksoi Z. Minxhozi.  Sipas tij,  bashkëpunimi integral në të dy anët do shërbejë  për kualitet të shërbimeve shëndetësore nga stafi.   Ai përmendi edhe bashkëpunimin e ofruar nga Spitali i Prizrenit për Spitalin e Kukësit ku shumë grave u është mundësuar mamografia falas, por  dhe shërbime të tjer.