Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Radiologu amerikan Richard Hirsh arrin nesër në një mision vlerësimi në Kosovë

 

Hirsh, i cili do të qëndrojnë në Kosovë më 15 dhe 16 tetor, bashkë me anëtarët e ekipit të tij: Tracey Erb, Rober Milcev dhe Branko Ganter, gjatë këtij misioni dy ditor do të bëjë vlerësimin e mundësive të trajnimit të radiologëve kosovarë në leximin e mamografive dhe teknikave në procesin e procedimit të filmave rëntgenologjik.

Ky delegacion pritet nesër nga ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi dhe më pas do të vizitojnë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe disa spitale dhe qendra të tjera shëndetësore në Kosovë si në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj.

Në varësi prej vlerësimeve që do të bëjë Richard Hirsh me ekipin e tij për aftësitë dhe nevojat e radiologëve kosovarë, me të cilët do të mbajë disa trajnime, do të vendoset nëse në Kosovë, do të mund të nis në fillim të vitit që vjen projekti afatgjatë për aftësimin e vazhduar të radiologëve në përvetësimin e teknikave të leximit të mamografive si dhe sjellja e dy aparateve të Mamografisë “Hologic /Lorad” si dhe mirëmbajtja e tyre në të ardhmen.

Ardhja e profesorit Hirsh në Kosovë, është rezultat i mbështetjes që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin shëndetësisë kosovare dhe  koincidon me kohën kur Kosova po finalizon praktikisht njërën prej hallkave të trajtimit të pacientëve me kancer- radioterapinë, e cila pritet të futet në funksion, me përurimin e Institutit të Onkologjisë, që është në finalizim e sipër.

Radiologu amerikan Richard Hirsh ndërkaq, është një emër eminent në radiologjinë amerikane dhe fitues i shumë çmimeve prestigjioze për të arritura në mjekësi.

Takimi me ministrin Gashi zhvillohet në Ministrinë e Shëndetësisë në orën 10:00 dhe pas takimit, do të ketë deklarata për media.

Ftohen mediat ta përcjellin këtë aktivitet!