Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Reagim nga Ministria e Shëndetësisë

Prishtinë, 24. 11. 2015 

Për hir të informimit të drejtë dhe transparent, Ministria e Shëndetësisë, dëshiron të informojë opinionin se shkrimi i djeshëm në një portal kosovar, i huazuar pastaj edhe nga disa të tjera, për kinse blerjen  nga Kabineti i Ministrit Imet Rrahmani mobilie në vlerë prej gati dhjetë mijë eurove, është një dezinformim i plotë i opinionit.

MSh informon opinionin se kontrata të cilës ju ka referuar portali që mundohet të paraqes diçka që nuk ekziston për Kabinetin e Ministrit, ka të bëjë me furnizimin me inventar pune të disa institucioneve e departamenteve të Ministrisë, por nuk ka të bëjë  me blerjen e as një karrige të vetme për Kabinetin e Ministrit.

Ministri Rrahmani vlerëson punën e mediave, transparencën dhe bashkëpunimin me to, por shpreh keqardhje që në Kosovë ende ka media të tilla (portale që s’u dihet as pronari e as adresa se ku punojnë)  e që nuk bëjnë as mundin më të vogël për të konfirmuar informacionet, por dezinformojnë dhe fusin konfuzion në mesin e publikut.