Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Rritet kujdesi i qytetarëve për mbrojtje nga Ethet Hemorragjike

Prishtinë, 27.06.2014

Në mbledhjen e rregullt të Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo, që u mbajt sot në Ministri të Shëndetësisë kryesuar nga Ministri Agani u raportuan të dhënat nga terreni lidhur me situatën epidemiologjike, ku theks i veçantë iu kushtua faktit që deri më tani vetëm katër raste kanë rezultuar pozitive në Ethe Hemorragjike Krime Kongo pas thumbimit nga rriqrat.

Po ashtu, në takim u tha se, si rezultat i ngritjes së vetëdijes së qytetarëve edhe numri i thumbimeve nga rriqrat në vitin 2014 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është 20% më i vogël.

Në takim u tha se përveç dezinfektimit, efekte pozitive po jep edhe përdorimi i repelentëve nëpër shtalla që është duke vazhduar, sikurse edhe dezinfektimi i sipërfaqeve tokësore. Në takim, gjithashtu, u tha se,  së shpejti pritet të bëhet edhe spërkatja nga ajri në zonat e pabanuara që janë të evidentuara si zona endemike nga rriqrat.

Lajm i mirë nga Këshilli i EHKK-së, është edhe se në trajtim spitalor për momentin nuk është asnjë pacient dhe të gjithë pacientët që kanë qenë të infektuar nga EHCC, janë trajtuar me sukses dhe i  janë kthyer jetës normale.