Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Sekretari Tolaj priti përfaqësuesen rajonale të kompanisë amerikane “Genzyme”

 
Prishtinë, 10. 02. 2011

Sekretari i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë dr. Ilir Tolaj priti sot përfaqësuesen regjionale për Bosnjë e Hercegovinë dhe për Kosovë të kompanisë amerikane farmaceutike “Genzyme”,  Anisa Sherak.

Në këtë takim është biseduar për ndihmën humanitare që kjo kompani ka shprehur interesim të ofrojë fillimisht për pacientë kosovare me sëmundje të rralla (te veshkat, ortopedike, sëmundjet imunologjike, kanceri dhe teste diagnostikuese), me qëllim që pastaj kjo formë e bashkëpunimit të avancohet në formën e një partneriteti afatgjatë.

Në takim është biseduar edhe për nevojën e hartimit të një Strategjie për sëmundjet e rralla edhe në Kosovë, në frymën e Strategjisë nacionale dhe planit të Aksionit për sëmundje të rrallë në Evropë.

Në këtë takim është bërë e ditur gjithashtu se Kosova, do t’u bashkohet më 28 shkurt 2011 vendeve të cilat e shënojnë Ditën ndërkombëtare të sëmundjeve të rralla.

Kompania amerikane “Genzyme” ka  3 vjet, që në kuadër të një projekti humanitar e ka mbuluar një paciente nga Kosova të diagnostifikuar me Morbus Gauscher Tip 1 ( Sëmundje e rrallë që prek disa organe si mëlqinë, shpnetkën, palcën e eshtrave, sistemin kockor, etj), duke siguruar në vazhdimësi terapinë për të në vlerë të mbi 1 milionë eurove.