Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shënohen ulje të vdekshmërisë perinatale

Prishtinë, 22 prill 2015

Nën udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Gani Shabani sot u mbajt takimi i tetë i Komitetit Drejtues të Programit të Përbashkët të Agjencioneve (KDPPA), ku pjesëmarrës ishte shefi i Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, z. Pierre Weber dhe  udhëheqës e zyrtar të organizatave ndërkombëtare si: Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), UNICEF dhe UNFPA, të cilat janë anëtare të këtij komiteti.

Sekretari Shabani duke i falënderuar të pranishmit për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre në këtë Komitet,  tha se kur në takime raportohen aktivitete të zhvilluara me rezultate pozitive, dëshmohet se vetëm me angazhim dhe bashkëpunim mund të arrijmë rezultatet evidente.

“Na gëzon fakti se ka trende të përmirësimit të shëndetit të nënës dhe fëmijës, sidomos në uljen e vdekshmërisë perinatale (sipas rezultateve preliminare të raportit 2014 të KDPPA-së), vdekshmëria ka shënuar rënie, dhe se aktivitet që janë zhvilluar në kuadër të Komitetit kanë vend meritor”, tha sekretari Shabani.

Në takim u pajtuan se ka shumë sfida sa i përket shëndetit të nënës dhe fëmijës, por të cilat me një aktivitet të shtuar dhe bashkëpunim të vazhdueshëm të MSh-së dhe organizatave pjesëmarrëse në KDPPA, mund të kalohen.

Në takim, ndër të tjera u miratua Raporti për vitin 2014 dhe Plani i veprimit të Programit të Përbashkët të Agjencioneve (Partneriteti për Përmirësimin e Shëndtit të Gruas dhe Fëmijës në Kosovë), për vitin 2015