Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shënohet Dita Botërore e Autizmit

Prishtinë, 02.04.2014

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani mori pjesë sot në programin e organizuar në Teatrin Kombëtar nga shoqata “Autizmi” në shënim të Ditës Botërore të Autizmit.

Ministri Agani tha se është kënaqësi që mund të konstatoj se “përgjegjësia që kemi ndaj kësaj kategorie njerëzish po rritet çdo ditë e më tepër, si sukses i bashkëpunimit të mirë që ka MSh me OJQ-të vendore e ndërkombëtare, që në vazhdimësi janë në mbështetje të projekteve për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara”.

Anëtarësimi në Rrjetën Globale të Autizmit, është një prej faktorëve që ka ndikuar në rritjen e diagnostikimit të kësaj sëmundjeje, duke e pasur parasysh se diagnostikimi i hershëm i autizmit është thelbësor për një avancim dhe sukses të dukshëm tek fëmijët me autizëm,  shtoi ministri Agani.

“Ne së bashku duhet përpiqemi të punojmë, që këta fëmijë dhe personat e tjerë me aftësi të kufizuara të ndjehen të afërt me ne, të mos ketë diferencime, por të ndihmojmë me punën dhe përkushtimin tonë maksimal, në integrimin e tyre në shoqëri”, tha ai.

Z. Cen Krasniqi, kryetar i shoqatës “Autizmi” foli për sfidat dhe problemet që kanë në ofrimin e përkrahjes së fëmijëve me autizëm. Ndër të tjera e vlerësoi ndihmën që po jep Ministria e Shëndetësisë, duke e bërë diagnostikimin e personave me autizëm sa më herët që është e mundur.

“Mungon informimi i shoqërisë për ekzistencën e kësaj dukurie mes nesh. Të jeni të bindur që ka shumë fëmijë me autizëm, të cilët kërkojnë ndihmën e të gjithë neve, prandaj kërkojmë nga ju dhe shoqëria në përgjithësi, që të ndikoni në informim të saktë, ngase nëse këta fëmijë diagnostikohen herët dhe trajtohen si duhet, ata mund të jenë edhe ndihmesë për shoqërinë”, tha z. Krasniqi

Për integrimin e kësaj kategori në shoqëri, që ata të ndjehen sa më komod bëri thirrje edhe bashkëshortja e kryeministrit të Kosovës, znj. Lumnije Thaqi

Autizmi është një çrregullim neurologjik kompleks që karakterizohet me: vështirësi në ndërveprime sociale, vështirësi në komunikim, sjellje stereotipike apo përsëritëse, interesime të kufizuara. Përndryshe, autizmi konsiderohet si çrregullim spektër dhe niveli i prekjes së fëmijës me autizëm dallon nga njëri-tjetri.