Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shënohet Dita Botërore e Diabetit nën moton: “Gruaja dhe diabeti”

Prishtinë, 14 nëntor 2017

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës, në mbështetje të Projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH) sot kanë shënuar Ditën Botërore të Diabetit.

Në konferencën e mbajtur sot, u tha se momentalisht në botë janë 99 milion gra të cilat jetojnë me diabet, numër ky i cili parashihet të rritet në 313 milion deri në vitin 2040. Në çdo 7 lindje një shtatzënë është e atakuar nga diabeti gestacional.

 

Zv. Ministër i Shëndetësisë, Dr. Muharrem Kuçi tha se kjo sëmundje është fatëkeqësisht në rritje, prandaj Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me institucionet e tjera shëndetësore, është e mobilizuar që me të gjitha mundësitë financiare të ndihmojë këtë kategori, që të mbushë nevojat e tyre. Ai theksoi se me shtimin e buxhetit që është paraparë për vitin e ardhshëm dhe me implementimin e sigurimeve shëndetësore do të ketë buxhet më të mjaftueshëm dhe angazhim, që në listën e barnave esenciale të hyjnë disa barna të tjera të cilat janë me shumë ngarkesë për buxhetin familjar.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani tha se në Kosovë në vitin 2016 kanë qenë 12530 raste të pacientëve insulin-vartës të regjistruar në QKMF-të e të gjitha komunave me përjashtim të komunave me minoritete shumicë. Prej të cilëve 7225 ose 57.7% ishin femra dhe 5305 ose 42.3% ishin meshkuj.

Ndërsa theksoi se sëmundja e diabetit kërkon angazhim serioz jo vetëm të të sëmurit, punëtorëve shëndetësor por edhe shoqërisë në përgjithësi, sepse kjo sëmundje në qoftë se nuk zbulohet dhe mjekohet me kohë mund të shkaktojë ndërlikime serioze si: sëmundje kardiovaskulare, sëmundje nervore, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj.

“Prandaj arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë botën e edhe tek ne në Kosovë është; Thirrje për aksion për gjithë ata që me kontributin e tyre do të përkrahin masat e parandalimit dhe kontrollit të diabetit, në Kosovë dhe në botë“.-tha Prof. Dr. Ramadani.

Dr. Ardita Tahirukaj, shefe e zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se rreth 8% e grave në mbarë botën- ose 205 milionë gra – jetojnë me diabet. Prandaj ajo theksoi se është e nevojshme që qeveritë të hartojnë dhe zbatojnë politika që promovojnë ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitet fizik gjatë gjithë jetës.

“Prandaj, Dita Botërore e Diabetit këtë vit, promovon për të gjitha gratë me diabet ose qe rrezikohen nga diabeti një qasje të barabartë dhe te përballueshme ne ilaçet esenciale dhe teknologjitë, edukimin mbi vetë-menaxhimin dhe informimin e nevojshëm për të arritur rezultate optimale ne trajtimin e diabetit , si dhe për të forcuar kapacitetin e tyre për të parandaluar diabetin e tipit 2.“-tha ndër tjerash ajo.

Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi, përfaqësuese e Klinikës së Ednokrinologjisë, tha se në këtë klinikë gjatë vitit 2016 janë hospitalizuar 770 pacientë me diabet, prej të cilëve 470 janë të gjinisë femërore.

Ndërsa theksoi se në 80% të rasteve të diabetit në shtatëzani kemi të bëjmë me diabetin gestacional, dhe se ky tip i diabetit diagnostikohet kur veç janë shfaqur komplikimet si tek nëna ashtu edhe tek foshnja. Kjo sipas saj mund të diagnostikohet shumë lehtë përmes një testi jo-të kushtueshëm (OGTT) i cili rekomandohet në tërë botë e që duhet të praktikohet edhe në vendin tonë.

Ndër tjerash, ajo theksoi nevojën e zgjerimit të numrit të antidiabetikëve esencialë.

Dr. Drita Peqani-Përfaqësuese e Kujdesit Parësor Shëndetësor, tha se në të gjitha QMF-të në Prishtinë, pacientëve u mundësohet marrja e këtyre shërbimeve si: matja e glikemisë, diagnostikimi i diabetit, trajtimi me terapi orale dhe insulino-terapi, monitorimi i vlerave të glikemisë, mbajtja nën kontroll e diabetit etj.

Ndërkaq, në kuadër të shënimit të kësaj dite do të ketë aktivitete të shumta si: mesazhet në radio, si dhe manifestimet në rrugë ku do të bëhet shpërndarja e materialeve edukativo-shëndetësore për kalimtarët e rastit dhe do të matet sasia e sheqerit në gjak.