Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shënohet Dita Botërore e Tuberkulozit

Prishtinë, 24 mars 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani mori pjesë sot në manifestimin që u organizua për nder të Ditës Botërore të Tuberkulozit nga Ministria e Shëndetësisë, Programi për TB dhe OJQ-KEA, me mbështetjen e Fondit Global perms CDF.

Ministri Rrahmani tha se organizime dhe manifestime të tilla luajnë rol të rëndësishëm, të cilat për qëllim kanë vetëdijesimin e popullatës dhe informimin e tyre për mënyrën e mbrojtjes nga sëmundjet e ndryshme e në këtë rast të tuberkulozit.

“Jemi këtu që të shprehim gatishmërinë tonë për përkrahje të pa rezervë në punën e juaj si profesionistë shëndetësorë, duke ju informuar se në strategjinë e MSh-së, programi Anti-Tuberkuloz është futur dhe parashihet që të investohet në blerjen e barnave dhe në ngritjen e kapaciteteve për të luftuar këtë sëmundje, nëse jo deri në çrrënjosjen e saj atëherë duke e zvogëluar dukshëm rastet e prekshmërisë”, përfundoi Ministri Rrahmani.

Dr. Skender Syla, shef i zyrës së OBSh-së në Prishtinë, tha se dekada e fundit ka shënuar përparim sa i përket diagnostikimit dhe trajtimit të TB-së në Kosovë, por ne përballemi akoma me një numër të madh të të prekurve nga kjo sëmundje për të cilën OBSH-ja, ka përgatitur një strategji e cila ka për qëllim t’i vejë fundin kësaj sëmundjeje, dhe kjo arrihet duke e vënë pacientin në qendër të vëmendjes nga ana jonë.

Dr. Syla në fund të fjalës siguroj se mbështetja për luftimin e sëmundjes së Tuberkulozit, nga ana e OBSh-së nuk do të mungojë.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë Gani Shabani tha se përkundër punë së madhe që është bërë nga Ministria e Shëndetësisë në koordinim me institucionet shëndetësore për luftimin e Tuberkulozit, mbetet ende shqetësuese numri i të prekurve me këtë sëmundje.

“Prej të dhënave që kemi incidenca prej 46 të sëmurëve me TB në 100 mijë banorë se ende jemi larg zhdukjes së tuberkulozit në Kosovë. Përkundër punës së madhe që është bërë nga Fondi Global deh mbështetjes me konsulent prej OBSh-së, mendoj se është koha e fundit që si institucion , kemi mundësin që të kthejmë në prioritet këtë program.” tha Sekretari Shabani.

“Ndërsa shembull të mirë se ministria është e zotuar të luftojë këtë sëmundje është edhe funksionalizimi i njësisë për TB në MSh, zotimi për blerjen e barnave antituberkulare të gjeneratës së parë, do të fillojë në vitin 2016, reagencave në vitin 2017, dhe për gjeneratën e dytë prej vitit 2018, tha Sekretari Shabani, duke siguruar se Programi i TB-së do të ketë mbështetjen e duhur institucionale”.

Xhevat Kurhasani – OJQ-KeA, tha se për të arritur deri te suksesi në luftën ndaj TB-së duhet të bëhen punë shumë të mëdha në krahasim se çfarë është bërë deri më tani, dhe besojmë se suksesi do të vijë në bashkëpunimin që është duke u zhvilluar në mes MSh-së dhe OBSh-së.

Ndërsa znj. Nermine Mahmuti, Drejtoreshë e CDF, Kosovë , tha se organizata të cilën e përfaqëson ajo, ka bërë punë të mëdha sa i përket shëndetit publik dhe kjo punë e jona do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Dr. Majlinda Gjocaj –  Koordinatore Kombëtare e Programit të TB nga MSh-ja, bëri prezantimin e plan veprimit të MSh-së, për sëmundjen e tuberkulozit “tashmja dhe e ardhmja e Programit Kosovar për TB”, ku në pika të shkurtra e shpalosi programin që për qëllim ka luftën ndaj kësaj sëmundjeje.

Po ashtu gjatë ditës nëpër qytetet kryesore të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë. janë shënuar aktivitetet të ndryshme me qëllim të njoftimit dhe senzibilimit të popullatës që për arsye kryesore kishte shënimin të kësaj dite dhe për tu bërë thirrje për aksion për të gjithë ata, që me kontributin e tyre do te përkrahin eliminimin e Tuberkulozit në Kosovë dhe në botë. Gjatë kësaj dite janë bërë edhe shpërndarje të materialeve edukativo shëndetësore, në rrugë ka performuar të rinj me porosi edukativo shëndetësore të shtypura në veshje me moton “ SË BASHKU TA MUNDIM TUBERKULOZIN”etj.

 

Ndërsa Porositë kryesore për popullatën janë :

 

  • Tuberkulozi  mund të parandalohet dhe të mjekohet;
  • Lajmërohuni me kohë tek mjeku nëse keni ndonjë keqësim të shëndetit tuaj;
  •    DOTS -i (marrja e rregullt e barërave në prani të punëtorit shëndetësor) shpëton jetën e të sëmurëve nga tuberkulozi;
  • Mjekimi kundër tuberkulozit është falas;