Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shënohet Dita Botërore pa Duhan

alt

Në shënimin qendror të kësaj dite që u mbajt në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pjesëmarrësit në shënim vlerësuan se Ligji I ri për Kontrollin e Duhanit ka gjetur një mbështetje në gjerë në mesin e qytetarëve të vendit dhe fillimi i zbatimit të tij është premtues se ai do të zbatohet në masën më të mirë të mundshme.
Në këtë shënim, zyrtarët nga institucionet, mekanizmat ndërkombëtar dhe shoqëria civile u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë që ligji që ndalon pirjen e duhanit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura, vendet e punës dhe mjetet e transportit publik të zbatohet në përpikëri, pasi që kështu do të përmirësohet edhe shëndeti publik në vend.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se  për dallim nga vitet e kaluara këtë vit, Dita Botërore pa Duhan, po shënohet me futjen në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, e i cili dëshmon se Kosova dhe populli i saj ka vlera civilizuese.
“Është një fillim premtues sa i përket zbatimit të ligjit, dhe në falënderojmë qytetarët e vendit, komunitetin e biznesit dhe të gjithë ata që duke respektuar ligjin, po dëshmojnë se shoqëria jonë është e pjekur dhe koshiente për nevojën e mbrojtjes së shëndetit të saj”, tha Ministri Agani. Ai tha se është e natyrshme që të priten edhe vështirësi, por institucionet janë të vendosura që ky ligj të zbatohet duke garantuar mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës pa dëmtuar të tjerët.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, njëherësh Ministre e Tregtisë tha se janë të rralla ligjet, të cilat meritojnë të cilësohen si historike, por Ligji për Kontrollin e Duhanit vërtetë është I tillë dhe paraqet një arritje të rëndësishme marrë parasysh vullnetin e institucioneve dhe qytetarëve për ta zbatuar ata. Ajo tha se MTI do t’i zbatojë përgjegjësitë e veta në zbatimin e këtij ligji, që paraqet njërin prej ligjeve më të rëndësishme që ka miratuar Kuvendi i Kosovës.
Ilirjana Zymberaj, drejtoresh e Inspektoratit Sanitar , ka bërë të ditur se që nga 22 maj, kur edhe ka hyrë në fuqi ligji për kontrollin e duhanit, inspektorati ka inspektuar mbi 100 lokacione të ndryshme dhe se ka vërejtur se ky ligj po gjen zbatim të mirë.
Hyrjen në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit e ka përshëndetur edhe zëvendësdrejtoresha e IKSHP-së, dr. Selvete Krasniqi dhe Përfaqësuesi i Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë Pierre Weber që ka përgëzuar Kosovën për këtë sukses, ndërkohë që drejtori ekzekutiv I KADC-së, Shkumbin Spahija tha se arritja e këtij ligji ishte sukses i një pune të përbashkët të institucioneve me shoqërinë civile, OBSH-në e UNICEF-in dhe mbështetjen e fuqishme të MSH-së.
OBSH-ja vlerëson se pirja pasive e duhanit llogaritet që shkakton diku rreth 600 mijë vdekje të parakohshme në tërë botën për çdo vit. Nga ky numër i vdekjeve të parakohshme 31 për qind janë tek fëmijët dhe 64 për qind janë tek femrat. 700 milionë fëmijë në tërë botën, apo diku rreth 40 për qind e tërë fëmijëve në rruzullin tokësor janë të ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit në shtëpitë e tyre.
Për këtë arsye që nga data 22 maj-Ditën kur ka hyrë në fuqi Ligji për Kontrollin e Duhanit në Kosovë, MSH , OBSH dhe KADC kanë lansuar fushatën “Merr frymë shlirë”, e cila prej sot është pasuruar edhe me video-spote të reja të përbashkëta, shpërndarje të materialeve vetëdijesuese dhe shenjave për ndalimin e pirjes së duhanit në vendet e ndaluara me ligj.
Në kuadër të kësaj fushate, Ministri I Shëndetësisë Ferid Agani, bashkë me anëtarët e Koalicionit Anti-duhan, në mesditë kanë mbështetur edhe nismën e një organizata të rinjsh dhe NDI, duke takuar qytetarë në sheshin e Prishtinës, ndarë me ta materiale informative dhe duke vizituar disa kafe bare, në të cilat, gjatë vizitës, qytetarët janë gjetur duke e respektuar ligjin në plotëni.
Po ashtu, Ministri dhe anëtarët e Koalicionit Anti-duhan, kanë marrë pjesë edhe në një debat me të rinj kosovarë të organizuar nga organizata “KUSA”, në mjediset e saj, dhe me vijues të programeve të ndryshme të mbështetura nga Qeveria amerikane.
Në mbrëmje ndërkaq, për të shënuar ndryshimin kulturor që po krijon Ligji për Kontrollin e Duhanit në kryeqytet figura të jetës publike, media, qytetarë dhe të ftuar të tjerë do bëhen bashkë për të shënuar hyrjen në fuqi të ligjit ne një “Jazz –party”.