Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shënohet Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. Dr. Ferid Agani, tha sot se zbatimi i Strategjisë dhe Planit të veprimit për rezistencën ndaj antibiotikëve  dhe parandalimin e infeksioneve brenda spitalor është një prioritet i lartë i Ministrisë.
Ai tha kështu në një konferencë për media të mbajtur në MShme rastin e 18 Nëntorit-Ditës Evropiane për Vetëdijesim për Antibiotikë.
Duke theksuar faktin se MSh ka ndarë sivjet për herë të parë edhe buxhet  për parandalimin e infeksioneve brenda spitalore, Ministri Agani tha se që prej miratimit të Strategjisë, gjatë këtij viti janë shënuar rezultate të mirë dhe investimet e Ministrisë në këtë fusha janë shpaguar.
Si rezultat i trajtimit me prioritet të kësaj çështje, Ministri theksoi faktin se MSh-ka ka fituar në bashkëpunim me IKSHP-në dy grante shkencore të fituara pas konkurseve  të hapura nga Bashkimi Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë  në fushat programore të Strategjisë, hartimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve për kontrollin e infeksioneve spitalore dhe mbikëqyrjen laboratorike të  rezistencës, avancimi i kapaciteteve diagnostike në IKSHPK për identifikimin e gjeneve të rezistencës, intensifikimi  i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe i  veprimtarisë kërkimore.

Ministri theksoi edhe investimet konkrete që Ministria i ka bërë si në themelimin e Sistemit të Informimit Laboratorik (32.000 euro), blerjen e aparatit në IKSHP “Chek point” (100.000 euro) për detektimin e gjendjes së baktereve ndaj antibiotikëve, hartimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike, etj., derisa prioritet për vitin e ardhshëm mbetet edhe akredimi i institucioneve shëndetësore spitalore si pjesë e reformës  shëndetësore që ka filluar.

Me rastin e Ditës Evropiane të Vetëdijesimit për Antibiotikë, Ministri u bëri thirrje mjekëve, farmacistëve , por  dhe vet qytetarëve që antibiotikët të përdoren vetëm kur është e domosdoshme dhe nën përkujdesjen e mjekut, farmacistit , sepse ndryshe, antibiotikët nuk do t’i kenë efektet pozitive dhe do të shkaktojnë rezistencë te përdoruesit.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së, në Kosovë tha se Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë paraqet një moment të veçantë që të përcillet mesazhi i gjerë se si dhe kur duhet të përdoren antibiotikët. “Marrja e antibiotikëve në rastet kur nuk duhet, ose në infeksione virale nuk ka efekt, dhe vetëm krijon soje të reja rezistente, sepse antibiotikët janë të dedikuara për luftimin e infeksioneve bakteriale”, tha Syla.

Kurse, Dr. Lul Raka, Koordinator i Ministrisë së Shëndetësisë për Rezistencën Antimikrobike dhe Infeksionet Spitalore, tha se sukseset në fushën e zbatimit të Strategjisë dhe planit të veprimit për rezistencën ndaj antibiotikëve janë evidente dhe fitimi i granteve është një argument për këtë, derisa ka kujtuar se Kosova është bërë pjesë e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë.
“Rezistenca ndaj antibiotikëve është një fenomen natyror që ndodh nga ndryshimet në gjenet e baktereve. Mirëpo, shtimi i përdorimit të antibiotikëve dhe përdorimi i paarsyeshëm i tyre janë dy faktorët kyç që përshpejtojnë shfaqjen dhe përhapjen e rezistencës. Faktorët e tjerë që e plotësojnë mozaikun e problematikës së rezistencës janë: marrja e antibiotikëve pa recetë të mjekut, mungesa e resurseve të kontrollit të infeksioneve në spitale dhe komunitet, rritja e popullatës me moshë të shtyrë, udhëtimet masive të njerëzve dhe mallrave dhe shpërdorimi i antibiotikëve në sektorin e veterinarisë. Përdorimi i drejtë i antibiotikëve mund ta parandalojë shfaqjen dhe përzgjedhjen e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve”, tha Raka.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) bashkë më autoritetet shëndetësore të të gjitha vendeve evropiane, ka iniciuar nismën Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë, që shënohet çdo vit me datën 18 nëntor. Kjo nismë shënohet për herë të katërt në Kosovë dhe këtë vit përqendrohet në përmbledhjen e aktiviteteve të realizuara gjatë tri viteve paraprake (vetëdijesimin për përdorimin e antibiotikëve në kujdesin parësor, në spitale dhe rritjen e rezistencës ndaj linjës së fundit të antibiotikëve).
Rezistenca ndaj antibiotikëve është problem serioz i shëndetit publik në Evropë dhe kudo në botë, duke shënuar dyfishim në nivelin global gjatë 5 viteve të fundit. Çdo vit në Bashkimin Evropian(BE) vdesin afër 25.000 njerëz nga infeksionet e shkaktuara me baktere rezistente ndaj antibiotikëve. Kostoja vjetore e shpenzimeve të shkaktuara nga rezistenca në BE shkon deri në 1.5 miliard euro.