Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shënohet Dita Ndërkombëtare pa Duha

Tema globale për këtë vit kushtuar Ditës Botërore për Duhan është: “Ndërhyrja e Industrisë së Duhanit”, ndërsa fushata në Kosovë, fokusohet në ngritjen e vetëdijesimit mes prindërve, nënave shtatzëna dhe të rinjve për rreziqet e pirjes së duhanit për shëndetin e individëve si dhe të tjerëve përreth tyre nga pirja pasive e duhanit.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani, tha se MSh është në vlugun e punëve për të ndryshuar realitetin sa i përket duhan-pirjes në Kosovë dhe në këtë aspekt, ai tha se Projekt-ligji për Duhanin, që është në fazën e finalizimit nga Grupi punues, do të shënojë një hap kualitativ për zvogëlimin e pasojave dhe të keqes që sjell duhan-pirja për shëndetin publik.

Duke folur për impaktet negative që ka duhan-pirja, sidomos tek fëmijët, Ministri Agani tha ligji është një instrument që tregon se si situata do të ndryshojë me ndihmën edhe të partnerëve siç janë OBSH e UNICEF-i, ndërsa veprimet e koordinuara me partnerët, koalicionin anti-duhan dhe ngritja e vetëdijes individuale dhe kolektive, përfshirë ngritjen e vetëdijes edhe në mesin e industrisë së duhanit, do të kontribuonte që ligji të zbatohet dhe popullata të jetojë në një mjedis sa më të pastër nga duhani.
“Edhe industria e duhanit duhet të kuptojë se ajo duhet të jetë në funksion të njeriut, e jo njeriu në funksion të industrisë”, tha Ministri Agani.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se OBSh është e vetëdijshme se as ndryshimi i ligjit për Duhanin dhe as aprovimi i tij nga Kuvendi i Kosovës  nuk do të ndryshojë gjendjen për të mirë nëse nuk ka përkushtim të sinqertë dhe të rritur nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës për zbatimin e ligjit, kundruall luftimit të pa-kompromis të ndërhyrjeve të industrisë së duhanit në aprovimin dhe zbatimin e politikave të kontrollit të duhanit.
“Asgjë nuk do të arrihet dhe ligji do të mbetet dokument i vdekur dhe dekor për sirtarë nëse ne si shoqëri nuk angazhohemi që për të mirën e pasardhësve tanë ligji të zbatohet me përpikëri dhe pa alternativë”, tha dr. Syla. Ai tha se OBSH është e gatshme të ofrojë asistencën e nevojshme për shfrytëzimin dhe zbatimin e dokumenteve relevante dhe zbatimin e Ligjit për Duhanin në Kosovë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës.

Zonja Laura Fragiacomo, ushtruese e Detyrës së Shefit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që nga kjo ditë mediat të ndajnë me popullatën mesazhet kundër duhan-pirjes me qëllim të reduktimit të efekteve negative të duhanit.
Ajo theksoi dy fakte shqetësuese rreth duhan-pirjes në Kosovë: duhan-pirjen në shkallën 20 për qind te shtatzënat dhe shkallën prej rreth pesëdhjetë për qind të fëmijëve që i ekspozohen tymit të duhanit nga duhan-pirja sekondare apo pasive.
Zonja Fragiacomo ka bërë thirrje për zbatimin e Ligjit të ri të duhanit, ku ky mekanizëm ka qenë pjesë e Ekipit mbështetës dhe ka ofruar mbështetjen në zbatimin  e programeve për zvogëlimin e duhan-pirjes, përfshirë këtu edhe një kampanjë kundër duhanit, e mbështetur nga UNICEF-i.

Prof. Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se me legjislacionin e ri për duhanin do të fillojë një epokë e re për përmirësimin e aspekteve të shëndetit publik dhe zvogëlimin e pasojave të duhan-pirjes, ndërkohë që theksoi se IKSHP që është një institucion shembull për respektim të Ligjit për Duhanin qe pesë vjet, është i gatshëm të nis hulumtimin e ri gjithëpërfshirës për duhan-pirjen në Kosovë dhe zbatimin e strategjisë së parandalimit të duhan-pirjes tek të rinjtë , shtatzënat dhe grupet e tjera të popullatës.

Në këtë shënim është paralajmëruar emitimi në televizionet nacionale  i spoteve kundër duhanit në tre gjuhë (shqipe, serbe dhe angleze) si dhe  është bërë një prezantim për aspektet e reja që do të përfshihen në Ligjin e  ri për  kontrollin e duhanit. Po ashtu, është prezantuar platforma e hartëzimit që sinjalizon për  mosrespektim të ligjit për duhanin në Kosovë.