Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shënohet ulje e rasteve me tuberkuloz në Kosovë

“Pas luftës është arritur përgjysmimi i incidencës, dhe kjo falë angazhimit të përbashkët”, tha Dr. Gani Shabani , Sekretar i Përgjithshëm i MSh-së, duke shtuar se synimi është  ulja e incidencës së TB në nivel me vendet e Bashkimit Evropian

 

Prishtinë, 21. 03. 2014

Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Shoqata e Pulmologëve të Kosovës, OJQ KeA dhe Projekti i Fondit Global për Kosovën organizuan sot në Prishtinë 24 Marsin- Ditën Botërore të Tuberkulozit. Organizime të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe në të gjitha qendra Rajonale të Kosovës : Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.

Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë Botën e gjithashtu edhe në Kosovë është thirrja për aksion për të gjithë ata, që me kontributin e tyre do te përkrahin eliminimin e Tuberkulozit në Kosovë dhe në botë.

Dita Botërore e Tuberkulozit në shumë pjesë të Botës kalon duke mësuar dhe duke biseduar lidhur me këtë sëmundje.

Në shënimin e kësaj dite në Prishtinë, Dr. Gani Shabani, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë tha se në Kosovë  janë bërë përpjekje te mëdha për ta parandaluar paraqitjen, përhapjen dhe trajtimin e tuberkulozit. “Dhe mund te themi se kemi pasur rezultate të konsiderueshme duke u nisur nga gjendja socio ekonomike gjatë fundshekullit te kaluar.

Pas luftës, tha ai, falë një aktiviteti të gjerë për informimin, komunikimin dhe edukimin e popullatës kemi një përfshirje shume të larte (99%) me vaksinim te fëmijëve me BCG dhe sipas planit të vaksinimit. “Gjithashtu, me angazhimin e Ministrisë dhe institucioneve shëndetësore janë ngritur kapacitetet njerëzore, është investuar në pajisje dhe infrastrukturës përcjellëse për diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin me kohë të Tuberkulozit, në mënyrë që pasojat të minimizohen”, tha Sekretari Shabani.

 

Ai tha se përveç MSh-së, IKSHP-së dhe institucioneve shëndetësore vartëse, rol te rëndësishëm kanë luajtur edhe partnerët ndërkombëtar si OBSh, Fondi Global, Mjeket e Botës, etj.

Sekretari Shabani tha se në Kosovë regjistrohen mbi 900 raste te reja me Tuberkuloz me shkallë të incidencës 53 raste në100 000 banorë. “Pas luftës është arritur përgjysmimi i incidencës, dhe kjo falë angazhimit të përbashkët”, theksoi ai, duke shtuar se synimi është  ulja e incidencës së TB në nivel me vendet e Bashkimit Evropian.

 

Doajeni i Pulmologjisë kosovare, Prof. dr. Irfan Spahiu, ka kërkuar nga ish studentët e tij, sot profesionistë të fushës që të punojnë maksimalisht në zvogëlimin e incidencës, trajtimin korrekt të tuberkulozit, duke pasur gjithnjë parasysh etikën shëndetësore dhe profesionalizimin.

 

Dr. Behxhet Osmani, kryetar i Shoqatës së Pulmologëve, vlerësoi gjithashtu faktin që në Kosovë pas luftës është përgjysmuar numri i rasteve me tuberkuloz, derisa mbetet ende për të punuar drejt qëllimit që është eliminimi i plotë i kësaj sëmundje.

 

Dr. Rukije Mehmeti, pulmologe, ka prezantuar gjendjen epidemiologjike sa i përket rasteve të TB, duke vënë në spikamë faktin se prej vitit 2000 kur kishte mbi 1700 raste në vit, në vitin 2013, janë shënuar 922 raste të TB-së, dukë shënuar një ulje të incidencës në 53 raste në 100.000 banorë.

 

Edhe me këtë ditë u theksua fakti se krejt terapia kundër TB në Kosovë jepet falas, përfshirë këtu edhe terapinë e rendit të dytë për rastet multirezistente në terapinë e rendit të parë.

 

Aktivitete të tjera me rastin e Ditës Botërore të TB-së do të ketë edhe ditëve vijim si shpërndarje e materialeve edukativo shëndetësore, mesazhet në radio, në rrugë do të barten pano të vendosura në trup ( “ njerëzit reklamë” ) me porosi edukativo shëndetësore, të gjitha këto me moton për shënimin e kësaj dite: “ SË BASHKU TA MUNDIM TUBERKULOZIN”.