Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shërbimi shëndetësor i burgjeve kalon në kompetenca të Ministrisë së Shëndetësisë

Ministri Ferid Agani tha se me këtë marrëveshje,  fillon zbatimi i një dispozite tejet të rëndësishme të Ligjit të Shëndetësisë për bartjen e kompetencave dhe të përgjegjësive për trajtimin e klientëve të Shërbimit Korrektues të Republikës së Kosovës brenda sistemit shëndetësor të vendit.
“Kjo është  përmbushje e një rekomandimi të rëndësishëm të OBSh-së për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për klientët e Shërbimit Korrektues të vendit. Me këtë, të dy ministritë po e bëjnë një lëvizje cilësore në drejtim të përmirësimit të shëndetit të klientëve të shërbimit korrektues të Kosovës në drejtim të barazimit të tyre me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës, dhe unë mendoj se kjo marrëveshje do të na çojë në drejtimin e  përpilimit të shpejtë të aktit nënligjor të cilin e parash dhe do ta rregullojë më në detaje funksionimin e këtij shërbimi brenda sistemit shëndetësor të vendit”, theksoi ai.

Ministri Agani tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm për MSh-në, dhe  përgjegjësi e shtuar, por në anën tjetër, shtoi ai “edhe një moment që e dëshmon se reforma e sistemit shëndetësor po jep rezultatet e para konkrete, duke dëshmuar faktin se reforma shëndetësore në qendër të vëmendjes e ka qytetarin e Kosovës, madje edhe atë që për momentin është klient i shërbimit korrektues të Kosovës”

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, tha se si Ministër i Drejtësisë ka pasur një varg prioritetesh për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe një ndër këto prioritete ka qenë që edhe shërbimi shëndetësor për të burgosurit apo për ata që gjenden në qendrat korrektuese, të jetë i njëjtë me qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës.
“Unë ë besoj që me këtë veprim që po e bëjmë sot, po japim, mundësinë që edhe ata të kenë qasje të njëjtë, mundësi të njëjta për trajtim shëndetësor sikur të gjithë qytetarët e tjerë. Ju e dini slloganin tim: Sundimi i ligjit me ligj, që nënkupton që edhe ata që kanë obligime ligjore në shërbimin korrektues, po ashtu e kemi obligim ligjor që t’i trajtojmë në mënyrë të barabartë”, tha ai.

Ministri Kuçi falënderoj Ministrin Agani që ky prioritet është amandamentuar në Ligjin për Shëndetësi, dhe tani është edhe në Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale .
“Jam i bindur se do të kemi ofrim të shërbimeve edhe më të mira, të barabarta me qytetarët e tjerë dhe tani nuk do të jemi të limituar në ofrimin e shërbimeve , por MSh me të gjitha kapacitetet e veta me të gjitha departamentet do të ofrojë shërbime të tilla. Praktikisht, kjo nënkupton që të burgosurit që kanë problem shëndetësore do të kenë përkujdesje jo vetëm të stafit që ka qenë deri më tani port ë gjithë sistemit shëndetësor të Kosovës dhe kjo nënkupton që nuk ka nevojë për transportim të shpeshtë edhe në qendrat spitalore çfarë ka qenë më herët”, theksoi ai.

Dr. Skënder Syla, shef i OBSh-së në Kosovë, ka përshëndet këtë hap drejt fuqizimit të shërbimeve shëndetësore në shërbimin korrektues të Republikës së Kosovës,
“Kujtoj që me punën që është bërë në të kaluarën edhe në kuadër të MD është bërë një përparim i dukshëm në vitet e kaluara, sepse ne kemi pasur edhe instrumente vlerësuese të OBSh-së të cilat ne raporte e kanë cilësuar shumë lart shërbimin shëndetësor në kuadër të sistemit të burgjeve të Kosovës dhe sistemin korrektues dhe ky do të jetë një hap tutje drejt avancimit apo përparimit të këtyre shërbimeve. Përvoja e Kosovës dhe ky transfer besoj se do të jetë një model edhe për vendet e tjera për një bashkëpunim të mirëfilltë ndërministror, pore dhe përparim të mëtutjeshëm të shërbimeve “ tha Syla.

Delegimi i kompetencave nga MD në MSh do të mundësoj ofrimin e kujdesit shëndetësor kualitativ për të gjithë personat që janë në mbajtje të dënimit në Institucionet Korrektuese, me standarde ekuivalente me ato që ofrohen për qytetarët në liri, në pajtim me Rregullat Evropiane për burgje dhe Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për trajtim shëndetësor adekuat dhe profesional.