Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Shpaloset në Malishevë Plani i Veprimit të Strategjisë për parandalimin e Etheve Hemorragjike

Shpaloset në Malishevë Plani i Veprimit të Strategjisë për parandalimin e Etheve Hemorragjike

 

Malishevë, 31 janar 2014

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Komuna e Malishevës, sot në këtë komunë u mbajt takimi i Këshillit Ndërministror për parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo.

Në këtë takim, me pjesëmarrje edhe të përfaësuesve të lartë të katër komunave: Malishevë, Rahovec, Klinë e Suharekë dhe të ekspertëve ndërkombëtarë, ndër të cilët edhe eksperti nga Turqia, Prof. Dr. Zati Vatansever dhe përfaqësues të Fakultetit të Bujqësisë nga Shqipëria, u shpalos Plani i veprimit të Strategjisë për parandalimin e Etheve Hemorragjike në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se ballafaqimi me këtë aksident mjedisor me të cilin është ballafaquar Malisheva dhe komunat e tjera përreth, ka qenë preokupim i tij prej ditëve të para të mandatit të tij. Ai tha se duke e parë komleksitetin e këtij problemi dhe faktin që MSh ishte e vetmuar në ballafaqimin me këtë problematikë, që vitin e kaluar mori 11 jetë dhe pati mbi 5200 pickime të qytetarëve nga rriqnat, MSH veproi në mënyrë emergjente brenda mundësive që i kishte, por u vërejt qartë edhe nevoja e lidershipit dhe veprimit të koordinuara edhe më akterët e tjerë.

Bazuar në këtë, tha ai, “kam inicuar formimin e Këshillit Ndërministror që ka mbajtur 13 takime dhe është arritur që përmes tyre të elaborohet Plani Strategjik për ballafaqim me këtë problematikë me ndarje të qartë të detyrave, plan ky i miratuar në Këshill dhe i cili pritet të miratohet edhe në Qeverinë e Kosovës”.

“Sivjet jemi shumë më të përgatitur për ballafaqim me këtë problematikë se vitin e kaluar, edhe-pse kjo luftë do të jetë mjaft e komplikuar dhe e lidhur edhe me ndryshimet që ndodhin në ekosistem…”, shtoi më tej Ministri Agani. Ai tha se Plani do të ndihmojë Këshillin dhe veprimet në teren, pasi që këto veprime do të jenë më të kooordinuara dhe të planifikuara mirë si dhe do të mundësojnë veprim më efiklas se vitin e kaluar, në mënyrë që lufta të jetë sa më efikase dhe pasojat sa më të vogla.

Kryetari i Malishëves Ragip Begaj, tha se është i sigurt kur sheh që një takim i këtij niveli të lartë mbahet në Malishevë, duke ditur se kjo komunë dhe komunat përreth kanë qenë shumë të prekuara nga Ethet Hemorragjike, se ky angazhim i të gjitha faktorëve do të ndihmojë që shqetësimet do të jenë më të vogla. “Kur  shohin këtë mobilizim të faktorëvë që merren në mënyrë të organizuar për parandalimin dhe luftimin e EHCC, jemi të bindur se rezultatet do të jenë të mira dhe shqetësimet e qytetarëve tanë më të vogla”, tha Begaj.

Planin e Veprimit të Strategjisë për parandalimin e EHCC e ka shpalosur drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, në veçanti aktivitetet e parapara për vitin 2014 në komunat Malishevë, Suharekë, Rahovec e Klinë dhe në komunat e tjera ku mund të paraqiten raste të EHCC.

Në këtë plan që në esencë ka parandalimin dhe reduktimin e shkallës së sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës nga EHCC, janë paraparë aktivitetet për secilin resor ministror dhe ata lokal me qëllim që lufta për parandalim, informimin, zbulimin e hershëm të infeksionit, diagnostikimi, raportimi dhe trajtimi i rasteve të bëhet në mënyrë sa më profesionale.

Përvojën e shtetit të Turqisë në ballafaqim me EHCC e ka prezantuar eksperti nga ky shtet, dr. Zati Vatansever, duke qenë që edhe Turqia është ballafaqur me raste të EHCC.

Me diskutime rreth problematikës së EHCC dhe përvojave të deritanishme, në këtë tryezë kanë kontribuar anëtarët e Këshillit Ndërministor, pjesëmarrësit nga komunat më të prekura dhe pjesëmarrësit e tjerë.