Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Si merret virusi?

Gripi i derrit është një sëmundje virale e cila shkakton shqetësime të ngjashme me gripin sezonal. Burimi i tij është virusi A(H1N1). Ky virus i ri është një përzierje e viruseve të njeriut, derrit dhe shpendëve. Emrin gripi i derrit e ka marrë për shkak të ngjashmërisë me virusin e gripit që shihet tek derrat.

Gripi i derrit, ashtu si gripi i zakonshëm, merret me anë të rrugëve të frymëmarrjes. Personi i sëmurë gjatë kollitjes dhe teshtimës shpërndan në ajër grimca pështyme me virusin e gripit. Nëse persona jo të sëmurë kanë kontakt me këto grimca pështyme, atëherë infektohen dhe ata.

Nëse njeriu prek sipërfaqe në të cilat mundësia e ngjitjes së virusit është më e madhe, si tavolina, karrigia, etj., dhe pastaj me ato duar prek hundën, gojën apo sytë, atëherë mund të infektohet.

Qëndrimi aktiv sa më gjatë i virusit në këto sipërfaqe varet nga faktorë, si: nxehtësia, lagështia dhe lloji i sipërfaqes ku ngjitet. Duhet pasur kujdes në mos prekjen e vendeve që ka prekur i sëmuri dhe nëse në çfarëdolloj rasti i prek duhet të lahen patjetër duart.