Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Sigurimet shëndetësore, Ligji gati në shtator

Kosova Sot: Gjendja në shëndetësinë kosovare vazhdon të mbetët e rëndë. Çfarë keni bërë ju për ta përmirësuar atë?

Ministri Gashi: Për ata që përcjellin më vëmendje shëndetësinë kosovare dhe e dinë se çfarë ka ndodhur në këtë sistem para se ne të vijmë në këtë mandat dhe çfarë po ndodh tani, është më se e qartë që gjendja ka ndryshuar shumë në të mirë.
Ministria e Shëndetësisë, po shtyn para një reformë legjislative që sistemin shëndetësor do të bëjë konkurrent me sistemet perëndimore, ka ndryshuar mënyrat e menaxhimit në shëndetësi, ka ndryshuar pozitivisht furnizimi me barna, është ngritur buxheti pikërisht si rezultat i menaxhimit të mirë të parasë publike nga MSH-ja, për çka së fundi morëm kualifikime pozitive dhe nga Auditori Gjeneral, ndërkohë që po ecet para me investimet kapitale dhe Strategjinë sektoriale të Kosovës (2010-2014). Me fjalë të tjera, ato që ishin planifikuar në Kosovë të bëhen pas dy ose tre vjetësh, po bëhen tani nga Ministria e Shëndetësisë dhe kjo na bën të ndihemi të qetë dhe të vazhdojmë të japim edhe më shumë nga vetja. Ne, asnjëherë nuk e kemi mohuar se ka vështirësi, kemi trashëguar një sistem me plot telashe e sfida, por e kemi pranuar përgjegjësinë për t’i ndryshuar gjërat dhe rezultatet janë të mira. Ministria po punon që shëndetësia jonë të qëndrojë në këmbë të shëndosha dhe, sikur e kemi thënë shpesh herë, shëndetësia duhet të bëhet prioritet nacional në Kosovë dhe kjo po ndodh dita-ditës.

Kosova Sot: Përgjegjësit e QKUK-së ankohen në vazhdimësi për mungesë të barnave, kurse Ministria që e drejtoni Ju thotë se e furnizon atë rregullisht. Nga po shkojnë barnat? 

Ministri Gashi: Është e saktë që ne e furnizojmë rregullisht QKUK-në me barna sikurse edhe institucionet e tjera të cilat janë pjesë e sistemit tonë. Po flasim për barna të Listës Esenciale. Ministria , sipas kërkesave që bëhen nga institucionet gjegjëse, në këtë rast edhe nga QKUK-ja i dërgon barnat. Është në përgjegjësinë e menaxherëve të reparteve e klinikave që t’i administrojnë drejt pastaj ato. Ne flasim vetëm në bazë të dokumentacionit, në bazë të kërkesave që bëhen dhe në bazë të dërgesave që bën Ministria në institucionet vartëse të saj. Dhe, kur u referohemi dokumenteve, ato tregojnë se në pjesën e parë të vitit 2008 kishim vetëm 30 për qind të Listës Esenciale të barnave. Në pjesën e dytë të vitit 2008 furnizimi  me barna dhe material shpenzues ka qenë 80 për qind. Në pjesën e parë të këtij viti furnizimi ka qenë 70 për qind, por ka një tendencë të përmirësimit të mëtejmë, pasi që tenderi për barnat ka përfunduar dhe deri në fund të vitit 2009, mbi 80 për qind e Listës Esenciale do të jetë e plotësuar në institucionet shëndetësore publike. Është një rezultat i mirë ky, sepse, një parashikim i këtillë është menduar për vitin 2011, e po ndodh më 2009. Për ata që nuk e dinë, furnizimi me Insulina është 100 për qind, nuk ka qenë kështu më parë, furnizimi i Hemodializës po ashtu, furnizimi me citostatikë mbi 90 për qind, Ta kujtojmë vetëm një fakt këtu: më 2008 ka pasur rreth 300 mijë euro për citostatikë, sivjet është dhjetëfishuar kjo shumë dhe MSH po shpenzon rreth 4 milionë euro vetëm për këtë kategori të barnave.
Lista Esenciale ndërkaq, është përpiluar nga ekspertët e lëmive të caktuara, edhe të QKUK-së dhe vetë profesionistët, sipas nevojave që i kanë, e kanë bërë këtë Listë, e cila është pasuruar me produkte të reja, duke pasur brenda saj mbi 300 lloje të barnave. MSh ka pasur vetëm rolin mbështetës dhe mbikëqyrës gjatë hartimit të saj, listën e kanë bërë vet profesionistët.