Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Specializantët nderojnë me mirënjohje Ministrin Agani për mundësitë e krijuara nga Ministria për specializim me financim

Prishtinë, 6 mars 2014

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani u nderua sot me mirënjohjes nga specializantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për kontributin e dhënë me të cilin këtyre mjekëve në specializim, MSh u ka mundësuar që shkollimi specialistik të filluar me vetëfinancim ta vazhdojnë prej gushtit të vitit të kaluar me mbështetje financiare nga ana e MSh-së, në kuadër të skemës stimulative të performancë.

Duke e pranuar këtë mirënjohje, të cilën tha se e konsideron nga më të çmuarat e jetës së tij dhe me vlerë të veçantë nga që i dhurohet nga njerëz të veçantë, Ministri Agani i ka falënderuar specializanëtët për kujdesin dhe respektin e treguar, duke theksuar se ka qenë përkushtim i tij që mjekëve të rinj t’u krijojë kushte sa më të mira për punë e shkollim specialistik, ndërsa qytetarëve shërbime cilësore shëndetësore.

Ai tha se është angazhuar që mjekëve në specializim të cilët e kishin filluar shkollimin specialistik me vetëfinancim t’ua mundësojë stimulimin financiar,  i bindur se kuadrot e reja do të ndihmojnë në kalimin e traumave të cilat i ka përjetuar sistemi shëndetësor në të kaluarën dhe për ta kaluar tranzicionin drejt reformës shëndetësore.

Ka qenë pikërisht reforma shëndetësore, tema për të cilën Ministri Agani ka zhvilluar një bashkëbisedim interaktiv sot në mjediset e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike me këta mjekë në specializim, për të cilët është shprehur se bashkë me kolegët e tyre, do të jenë ata që shëndetësisë kosovare do t’i ndihmojnë të ngrihet në nivelet evropiane.

“Sistemi i ri shëndetësor do të jetë më kërkues dhe ne kemi realizuar fazën e parë të përgatitjeve për reformën shëndetësore, e cila ka filluar me krijimin e kornizës legjislative reformuese siç është Ligji i ri i Shëndetësisë, Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësor (të miratuara në Kuvend),  Ligjin për Produktet dhe Pajisjet Shëndetësore, Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore (të miratuara në shqyrtimin e parë në Kuvend) dhe Ligjin për Kontrollin e Duhanit, që ka sjellë një ndryshim pozitiv në fushën e shëndetit publik”, tha Ministri Agani. Ky legjislacion e ka vënë bazën e reformës, tha ai.

Ministri Agani ka shpjeguar para specializantëve se shtyllat e reformës shëndetësore në vend, që ka të bëjë me decentralizimin e menaxhimit të sektorit shëndetësor nga MSh në institucionet dhe profesionistët shëndetësor, decentralizimin e resurseve njerëzore dhe decentralizimin në rrafshin e menaxhimit të institucioneve shëndetësore,  me që tash e tutje, institucionet e integruara në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (QKUK dhe spitalet e përgjithshme), do të menaxhohen nga Bordi Drejtues i këtij shërbimi, i miratuar nga Qeveria e vendit, sipas Ligjit të ri të Shëndetësisë.  Do të kemi një sistem që do t’i integrojë institucionet, ndërkohë që do të bëjmë decentralizimin e menaxhimit të tyre dhe MSh, në këtë proces, do të kalojë në rol të ri mbikëqyres, kontrollues dhe politikë-bërës, tha Ministri.

Ai ka zbërthyer para specializantëve përparësitë nga riorganizimi i sistemit shëndetësor, në veçanti ato që i ka sjellë Ligji i ri i Shëndetësisë, prej të cilit kanë përfituar edhe vet këta specializantë të përfshirë në skemën e mbështetjes financiare dhe përfitimet që do t’i kenë qytetarët dhe sistemi shëndetësor me miratimin dhe zbatimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili pritet që të zbatohet prej vitit që vjen.

“Mund ta kuptoni dallimin nëse përmes këtij ligji buxhetit aktual të shëndetësisë prej 117 milionë eurove i shtohen edhe 85 milionë te tjerë brenda një viti”, tha Ministri Agani, duke theksuar se reforma shëndetësore kërkon përkushtim të veçantë, seriozitet dhe vullnet për t’i ndryshuar gjërat.

Natyrisht, ka thënë ai, reforma i ka edhe sfidat dhe vështirësitë, dhe në këtë aspekt, Ministria po punon që të gjejë zgjidhjet për problemet që do të dalin gjatë zbatimit të reformës shëndetësore.

“Reformat janë proces i vështirë, sidomos reformat në shëndetësi, por unë jam i bindur se ne kemi krijuar bazën dhe ato do të zhvillohen, ndërsa përfituesit të saj do të jenë qytetarët e vendit dhe profesionistët shëndetësor, të cilët do ta gjejnë veten në vendin e tyre duke dhënë kontributin profesional”, tha Ministri Agani.

Specializantët që kanë diskutuar me Ministrin Agani, e kanë falënderuar atë për mundësitë që Ministria ua ka krijuar që shkollimin specialistik ta ndjekin në kushte shumë më të mira dhe të mbështetur financiarisht.