Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Sqarim për opinion i Dr. Skender Syla, Shef i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë

cenon lirinë e tjetrit, sëkëndejmi edhe lirinë e shprehjes dhe para së gjithash të vërtetën si vlerën më të çmuar të komunikimit ndërnjerëzor, ai nuk është për t’u hedhur. Por në momentin kur një shkrim si ky, që na bëri t’u dërgojmë këtë sqarim, ndërtohet mbi bazën e të pavërtetave, pasaktësive, spekulimeve, hamendësimeve dhe keqinterpretimeve ai patjetër bëhet burim keqinformimi dhe temë e përfoljeve dhe frustrimeve ndërprofesionale. Jo për të reaguar dhe polemizuar me autorin dhe përkundër orientimit tonë për të mos u marrë me shtypin e lirë (sidomos atë pa kritere profesionalizmi), këtë herë e ndjejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin në përgjithësi dhe veçanërisht komunitetin mjekësor në lidhje me këtë shkrim.   
Autori i këtij shkrimi me titull bombastik (mbase me bindjen se titulli e shet artikullin) duke iu përmbajtur thënies së shkrimtarit britanik Saki: “Pasaktësitë e vogla nganjëherë kursejnë shumë sqarime” ndërton artikullin mbi shumë pasaktësi që e dëmtojnë rëndë të vërtetën dhe përmbajtjen e takimit të cilit i referohet.
Me këtë rast duam të shprehim shqetësimin tonë të thellë për pasaktësitë që përmban artikulli, në mënyrë të posaçme “citatet” nga fjala e Shefit të Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, Z. Skënder Syla. Duam të besojmë se pa dashje autori i shkrimit i vesh Z. Syla konstatime të pavërteta dhe ndërton artikullin mbi supozimet e stilit “deshti me than” apo “nënkuptojë” duke mos qenë në gjendje të riprodhojë saktë ato që në të vërtetë u thanë në takim.
Duam të sqarojmë opinionin në përgjithësi dhe veçanërisht komunitetin mjekësor dhe mjekët e kujdesit parësor shëndetësor se as Z. Syla, as Zyra e OBSh-së nuk ka akuzuar kujdesin parësor për kurrfarë dështimi. Përkundrazi, duke qenë vet nismëtare e zhvillimit të konceptit të Mjekësisë Familjare në Kosovë, zyra e OBSh-së në Kosovë, mbetet e përkushtuar dhe përsërit angazhimin e vet për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij koncepti bazë të sistemit bashkëkohor shëndetësor në Kosovë.
Për opinionin dhe komunitetin mjekësor duam të sqarojmë se ne në këtë takim kemi shprehur pakënaqësinë tonë me shkallën e zbatimit të rekomandimeve të OBSh-së në përgjithësi. Kjo asesi nuk ka të bëjë me kujdesin parësor por të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor. 
Sido që të jetë, nuk është në mandatin as natyrën e punës së OBSh-së në asnjë vend në botë, që të akuzojë institucionet shëndetësore për asgjë. Roli ynë është këshill-dhënës dhe mbështetës dhe jo gjykues. Të gjitha aktivitetet tona duhet të merren vetëm në këtë kontekst dhe asesi ndryshe. Fatmirësisht kështu edhe janë kuptuar, interpretuar dhe zbatuar deri më sot edhe nga komuniteti mjekësor dhe keqinterpretimet sikur në këtë artikull janë opinione të rralla, thellësisht subjektive dhe të paargumentuara.
Ne e pamë të udhës që të japim këtë sqarim për opinionin përkundër faktit se komuniteti mjekësor shpresojmë dhe besojmë të jetë informuar drejtë nga drejtorët komunal për shëndetësi dhe drejtorët e QKMF-ve, që ishin të pranishëm në takim dhe mbase nuk ka pasur nevojë për këtë sqarim.
Shfrytëzojmë nga rasti që të shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për shqetësimin që mund të ketë shkaktuar ky artikull në komunitetin mjekësor pa fajin tonë. Ne përkundrazi përsërisim admirimin tonë dhe respektin për përkushtimin dhe punën që bëhet në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor përkundër gjendjes së vështirë të sistemit shëndetësor në përgjithësi. Gjithashtu përsërisim përkushtimin tonë për të mbështetur përpjekjet e komunitetit mjekësor për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet dhe inkurajojmë atë që të vazhdojë me përpjekje edhe më intensive në këtë drejtim, sidomos në përballimin e suksesshëm dhe me sa më pak pasoja të pandemisë së gripit A H1N1..

Prishtinë,
03 dhjetor 2009