Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Sqarim për opinion

Prishtinë, 2 qershor  2014

 Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje të thellë për rastin e vdekjes së pacientit F. H. i cili vuante nga sëmundja Lymphoma Hodgkin dhe i shpreh ngushëllime familjes  për vdekjen e tij.

Ndërlidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë sqaron opinionin se pas transferimit të një pjesë të mjeteve dedikuar Fondit për Leukemi dhe kancer, me datën 23 maj 2014, Ministria kishte nënshkruar menjëherë vendimet për dërgimin jashtë vendit për mjekim  të 6  pacientëve kosovarë të prekur nga leukemia, përfshirë edhe rastin  e pacientit F.H., i cili një ditë më parë, më 22 maj 2014, është aprovuar për dërgim jashtë nga Bordi i Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore.

Pesë rasteve prej gjashtë sa ishin duke pritur ndihmë, mjetet u janë transferuar menjëherë në llogaritë e spitaleve jashtë vendit, të cilat familjarët i kanë përzgjedhur për mjekim, ndërsa familjarët e pacientit F.H. kanë arritur që dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e pagesës (formularin e regjistrimit të spitalit) ta kompletojnë me datën 30 maj 2014 dhe po të njëjtën ditë, Ministra e Shëndetësisë ka bërë pagesën dhe ka transferuar 40.000 euro mjete për këtë pacient në spitalin ku kishte kërkuar të trajtohej (Klinikum Kassel GMBH – Gjermani), duke ia dhënë po atë ditë familjes dëshminë e pagesës së kësaj shume.

Për hir të sqarimit të opinionit, MSh bën të ditur se ky rast kishte aplikuar për trajtim jashtë vendit më 23 dhjetor 2013.

Ministria i kishte ofruar gjatë kësaj kohe familjarëve trajtim për pacientin F.H. në Republikën e Turqisë, bazuar në Marrëveshjen midis dy shteteve, por ka qenë vullneti i familjarëve që rasti të trajtohej në Gjermani, për çfarë në dosjen e pacientit ekziston deklarata e familjarit.

Me që, familjarët kishin përzgjedhur Gjermaninë, MSh i ka zhvilluar të gjitha procedurat administrative për rastin, të cilat janë përmbyllur me pagesën dhe transferimin e mjeteve në spitalin gjerman, siç u përshkrua më lart.

Për të gjashtë rastet me leukemi ndërkaq: në Gjermani (5) dhe Austri (1), Ministria ka transferuar 730.000 euro në spitalet e përzgjedhura prej vet familjarëve.