Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Studentë nga Suedia njihen me sistemin shëndetësor në Kosovë

 

Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Qendra për Zhvillim të Mjekësisë Familjare (QZHMF) dhe Qendra për Edukim të Vazhduar Infermierik (QEVI), kanë qenë sot nikoqir të një delegacioni studentësh nga Universiteti i Vasteras të Suedisë.

Ky grup i studentëve suedezë kanë zhvilluar një vizitë në institucionet e lart përmendura shëndetësore me rekomandim të Zyrës së OBSH-së në Kosovë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë midis Kosovës dhe Suedisë.

Ata janë pritur nga dr. Genc Ymerhalili, drejtor i QZHMF-së dhe znj. Fetije Huruglica, shefe e Divizionit të Infermierisë në MSh, të cilët i kanë njoftuar ata me zhvillimet dhe të arriturat në sferën e Mjekësisë Familjare, Infermierisë dhe në përgjithësi në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës.

Studentëve suedezë u është thënë se prioritet për shëndetësinë kosovare është ngritja e standardeve të cilësisë në shërbimet shëndetësore , avancimi i reformës në shëndetësi si dhe arritja e synimeve që shëndetësinë kosovare e orientojnë drejt rezultateve që mundësojnë integrimet në BE.

Ky ekip i studentëve suedezë, gjatë ditës së nesërme do të vizitojnë edhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe disa njësi të saj, për t’u njohur me veprimtaritë konkrete në aspektin klinik të punës aty.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni suedez do të ketë takime dhe me institucione të tjera.