Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Subjektet farmaceutike informohen për procedurat e deklarimit të çmimit të barnave

Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, i formuar sipas Udhëzimit Administratv 02/2019 për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të produkteve medicinale, ka mbajtur sot punëtori informuese për subjektet farmaceutike lidhur me zbatimin e këtij udhëzimi.

Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi,  ka shpjeguar se Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, do të punojë për përcaktimin e çmimit fiks për shitjen me shumicë dhe pakicë të produkteve medicinale përmes subjekteve të licencuara për qarkullim me shumicë dhe pakicë të produkteve medicinale në Republikën  e Kosovës.

Ai ka theksuar se qëllimi është që të zbatohet UA 02/2019, vendosja e rregullit në çmimet e barnave në Kosovë dhe ruajtja e qytetarëvë nga shpenzimet nga xhepi i tyre për produkte medicinale.

“Ministria e Shëndetësisë ka formuar Komisionin për rregullimin e çmimeve të barnave, i cili ka për detyrë të caktoj çmimin e barnave. Komisioni ka mbajtur dy takime dhe ka vendosur një plan se si të realizohen objektivat që dalin nga UA 02/2019.  Takimi i sotëm me përfaqësues të subjekteve farmaceutike, profesionistë nga fusha e farmacisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ka për qëllim që t’i  familjarizojmë me procedurat dhe aktivitetet deri në caktimin e çmimit të barnave në Republikën e Kosovës”, tha sekretari Bardiqi.

Arianit Jakupi- kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, pasi ka bërë një prezantim kronologjik të procesit të nxjerrjes së UA 02/2019 dhe fushëveprimit të tij, bashkë me përgjegjësitë e Komisionit për rregullimin e çmimit të barnave, i ka bërë thirrje komunitetit farmaceutik që të mos grumbullojnë stoqe të mëdha të produkteve medicinale, pasi që prej shkurtit, produktet që do të jenë në qarkullim duhet të jenë me çmime të rregulluara sipas Udhëzimit Administrativ 02/2019.

MSh ka hapur periudhën e aplikimit përmes thirrjes publike për subjektet farmaceutike për deklarimin e çmimit të barnave që do të jetë e hapur prej 1-30 shtator 2019.  Produktet farmaceutike, ndërkaq, prej 1 shkurtit 2020, në tregun kosovar do të qarkullojnë me çmime të rregulluara.