Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Takimi Ministrit Ismaili me Sekretarin dhe drejtorët e departamenteve të MSH-së

Prishtinë, 13 shtator 2017

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka zhvilluar sot një takim me të gjithë drejtorët e departamenteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë gjatë të cilit është njoftuar me punën e tyre, aktivitetet në zhvillim dhe planet për të ardhmen.

Në këtë takim, Ministri Ismaili ka kërkuar angazhim të shtuar prej secilit department në përmbushjen e misionit të Ministrisë së Shëndetësisë, për të ngritur nivelin e shërbimeve dhe cilësisë së tyre, duke ofruar gatishmërinë e tij të plotë për të përkrahur zhvillimin e aktiviteteve sipas planit të punës së Ministrisë dhe dokumenteve strategjike të saj.

“Unë jam një nga Ju dhe dëshiroj që në Ministri të përcjell frymën e bashkëpunimit dhe të punës ekipore, duke kërkuar në të njëjtën kohë një dedikm maksimal të secilit në Ministri me qëllim që qytetarëvë t’u sigurojmë shërbimet që u takojnë”, tha Ministri Ismaili.

Ai tha se do të investojë shumë në ngritjen e kapaciteteve dhe resurseve të brendshme, ashtu që shëndetësia në vend të krizave, të prodhojë rezultate konkrete pozitive, do t’i kushtojë rëndësi të veçantë transparencës, por edhe llogaridhënies.

“Do ta keni përkrahjen time si udhëheqës i nivelit politik i resorit, për të adresuar e zgjidhur së bashku problemet, për të kryer punët tona, por do të ketë gjithsesi edhe llogaridhënie”, tha Ministri Ismaili.

Gjatë ditës, Ministri Ismaili, po ashtu ka takuar të gjithë zyrtarët e MSh-së nëpër departamente e divizione, duke i siguruar ata që do të bashkëpunojë ngusht me secilin për të avansuar nivelin e menaxhimit, për të adresuar sfidat dhe për të gjetur zgjidhjet më të mira në kuadër të sistemit shëndetësor, duke e bërë secilin pjesë të një ekipi që punon për qëllimin e përbashkët-shërbime më të mira për qytetarin.