Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Takimi virtual me përfaqësuesit e Bankës Botërore

Në takimin virtual që ministri, z. Armend Zemaj zhvilloi me përfaqësuesit e Bankës Botërore, ka falënderuar ata për përkrahjen e vazhdueshme, që në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, të ndikojmë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve dhe për fleksibilitetin për të adresuar nevojat gjatë pandemisë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare përmes Grantit dhe Projektit të Emergjencës COVID-19 dhe nga Sëiss Trust Fund.

“Ne presim përkrahjen e BB-së edhe në periudhën e ardhshme në ngritjen e kapaciteteve për programin e vaksinimit dhe në zbatimin e reformës shëndetësore pas rishikimit dhe miratimit të Ligjit të Shëndetësisë dhe Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore që janë në process” tha ministri Zemaj.

Ekipi i MSh-së është duke punuar ngushtë me BB për realizimin e objektivave të parapara deri në përfundimin e Projektit të Shëndetësisë Kosovare, dhe falënderojmë për angazhimin e 375 profesionistëve të fushave të ndryshme në shërbim të luftës kundër COVId-19, si dhe projektet e tjera që janë në finalizim, qoftë në ngritjen e infrastrukturës spitalore, ashtu edhe në performancën e sektorit të shëndetësisë.