Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

The Lancet Infectious Diseases: Të dhënat e para për përdorimin e antibiotikëve në shtetet e rajonit evropian të OBSH duhet të stimulojnë hartimin e planeve nacionale të veprimit

Studimi më i ri, i publikuar në The Lancet of Infectious Disease, ofron për herë të parë të dhëna të besueshme për përdorimin e antibiotikëve në shtetet e Evropës Juglindore (të cilat nuk i përkasin BE) si dhe në ato të ish-Bashkimit Sovjetik.

Ky hulumtim shkencor i udhëhequr nga Dr Herman Goossens, nga Instituti për Vaksina dhe Sëmundje Ngjitëse (VAXINFECTIO) i Universitetit të Antverpenit, është hapi i parë kritik në identifikimin e shënjestrave për përmirësimin e mënyrës se si përdoren antibiotikët nëpër këto vende. Autorët shpresojnë se gjetjet nga ky hulumtim do të ndihmojnë në zhvillimin e planeve kombëtare të veprimit për të fuqizuar përdorimin e arsyeshëm të antibiotikëve dhe të përballen me kërcënimin në rritje të rezistencës antimikrobike.

Dr Goossens me kolegë, të cilët kryen studimin tok më grupin e OBSH Euro-ESAC, përdorën metoda të dëshmuara për të mbikëqyrur përdorimin e antibiotikëve në vendet evropiane [1]. Ata mblodhën edhe të dhënat për llojet e antibiotikëve të përdorur si dhe mënyrën e përdorimit të tyre.

Në shumicën e vendeve pjesëmarrëse në hulumtim, sistemi i informimit shëndetësor ishte i dobët duke sfiduar kështu mbledhjen e të dhënave të besueshme. Megjithatë, hulumtuesit përdorën informata nga disa burime, përfshirë të dhënat e importit të antibiotikëve, për të përfituar vlerësim të përgjithshëm të përdorimit të antibiotikëve nëpër vendet e ndryshme, duke përfshirë edhe përdorimin e antibiotikëve pa recetë mjeku.

Rezultatet e studimit dëshmuan se shkallën më të lartë të konsumit të antibiotikëve e ka Turqia, me një mesatare të përdorimit të antibiotikëve për person afër trefish më të lartë sesa shteti me shkallën më të ulët në këtë studim – Armenia.

Të dhënat e studimit për Turqinë, si shteti me shkallën më të lartë të përdorimit të antibiotikëve në zonën evropiane të OBSH tashmë ka dhënë rezultatet e para: Qeveria e Turqisë ka formuluar një plan nacional të veprimit për përdorimin racional të antibiotikëve. Autorët e studimit shpresojnë se rezultatet e reja do të nxisin veprime të ngjashme edhe në shtetet e tjera.

Në disa shtete, përdorimi befasues shumë i lartë i antibiotikëve me spektër të gjerë, siç janë kinolonet ose kombinimet e amoksicilinës dhe inkibitorëve beta-llaktamë, sugjeron se këto barna po përdoren në mënyrë joracionale si antibiotikë të linjës së parë për infeksione, përkundër faktit se shumë udhërrëfyes rekomandojnë që këto barna të përdoren vetëm si antibiotikë të linjës së dytë terapeutike (rezervë).

Konsumi i përgjithshëm i antibiotikëve në Kosovë ishte 26.3 DID (doza e definuar ditore, në 1000 banorë për një ditë). Grupet më të përdorura të antimikrobikëve kanë qenë: penicilinet (12.8 DID, 48.7% e të gjithë antimikrobikëve); beta-llaktamët e tjerë (4.9 DID, 18.7%); dhe kinolonet (3.0 DID, 11.3%). Studimi dëshmoi përdorim të konsiderueshëm të cefalosporinës orale të gjeneratës së tretë – cefixime (0.6 DID, 2.5%) dhe acidit pipemidik (0.3 DID, 1.3%). Kosova raportoi shkallën më të lartë të përdorimit parenteral të ceftriaksonit në Evropë.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Ferid Agani theksoi se “Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar për të mbështetur të gjitha nismat në fushën e përballjes me përdorimin e drejtë të antibiotikëve dhe rezistencën antimikrobike në Kosovë. Ne, tashmë e kemi Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për rezistencën antimikrobike (të lansuar qysh më 2011). Të dhënat e studimit nga LID dhe të dhënat e tjera të mbikëqyrjes së përdorimit të antibiotikëve nëpër spitalet e Kosovës dhe qendrat e mjekësisë familjare na kanë nxitur që të krijojmë një grup punues për të përgatitur infrastrukturën ligjore në fushën e kufizimit të përdorimit të antibiotikëve në kujdesin shëndetësor, sidomos në atë parësor ”.

Sipas autorëve të studimit, “shkalla e lartë e vetëmjekimit me antibiotikë mund të shoqërohet me shfrytëzimin e pamjaftueshëm të shërbimeve shëndetësore ose mund të shkaktojë vonesa në fushën e  diagnostikës dhe kërkimit të shërbimeve mjekësore. Prandaj, urgjentisht nevojitet kufizimi i përdorimit të antibiotikëve pa recetë të mjekut. Ky synim mund të arrihet pjesërisht edhe me zbatimin e masave administrative nacionale, fushata për vetëdijesim publik ose fuqizimi i përpjekjeve në edukimin e punëtorëve shëndetësorë drejt përshkrimit të drejtë të antibiotikëve”.

Në shumë shtete, studiuesit gjetën shkallë shumë të lartë të dhënies së antibiotikëve me rrugë parenterale (injeksione apo infuzione), që sugjeron se antibiotikët po përdoren në mënyrë jo-korrekte jashtë spitaleve, respektivisht në kujdesin ambulantor[2].

Autorët e punimit deklaruan se “Qëllimi i mbledhjes së indikatorëve të përdorimit të antibiotikëve është që të identifikohet përshkrimi jo-korrekt dhe të sigurohen mënyrat për të matur efektin e intervenimeve të realizuara. Këto rezultate do të ngritin vetëdijesimin e përdorimit joadekuat të antibiotikëve dhe do të stimulojnë vendimmarrësit për të hartuar planet e veprimit. Sistemi i zbatuar i mbikëqyrjes siguron një metodë për të zhvilluar indikatorë të cilësisë së përdorimit të antibiotikëve dhe të vlerësojnë efektin e politikave dhe veprimeve rregullatore”.

Në komentin e bashkëngjitur, Ramanan Laxminarayan dhe Thomas Van Boeckel shkruan se “të dhënat sistematike dhe të rregullta për konsumin e antibiotikëve mund të ketë shumë dobi. Shumë më tepër punë nevojitet në vlerësimin e determinantave të konsumit të antibiotikëve. Në SHBA, dallimi në përshkrimin e antibiotikëve iu është atribuar dallimeve socio-ekonomike dhe kulturore që ndikojnë në kërkesën e pacientëve ose përshkrimin nga ana e mjekut, siç është përdorimi i qendrave të kujdesit të fëmijëve, qasja në sigurimet shëndetësore, konkurrenca mes brendeve të ndryshme të antibiotikëve dhe mjekëve që garojnë për të marrë kujdesin ndaj pacientëve. Studime të ngjashme nevojiten edhe në pjesë tjera të botës për të kuptuar se si të hartohen programet më të mira të përdorimit të antibiotikëve”.

SHËNIME TË REDAKTORËVE:

Studimi u mbështet nga Ministria e Shëndetësisë e Holandës dhe Bashkimi Europian.

[1] Shtetet e përfshira në studim: Armenia, Azerbexhani, Bellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Gjeorgjia, Kosova, Kirgizstani, Moldavia, Mali i Zi, Serbia, Taxhikistani dhe Turqia.

[2] Shtetet e reja të pavaruara janë ish-republikat e Bashkimit Sovjetik: Armenia, Azerbexhani, Belorusia, Gjeorgjia, Kirgizstani, Moldavia, Taxhikistani, Ukraina dhe Uzbekistani.

 

Artikulli: Ju lutemi kontaktoni Herman Goossens, University of Antëerp, Laboratory of Medical Microbiology, Belgium.  E) Herman.Goossens@uza.be  T) +32 475 327344 [mobile] ose Peter De Meyer, Press Officer, University of Antëerp, Department of Communications, Belgium.  E) peter.demeyer@uantëerp.be  T) +32 3 265 47 11 [office] / +32 476 20 07 54 [mobile]

Për detaje të punimit dhe të dhënat e tjera në fushën e përdorimit të antibiotikëve në Kosovë, kontaktoni Dr. Lul Raka (lulraka@hotmail.com, lul.raka@uni-pr.edu  dhe tel. 044368289).

Komente: ju lutemi kontaktoni Professor Ramanan Laxminarayan, CDDEP, Ëashington, D.C., USA.  E) ramanan@cddep.org  T) +1 240 643 3491 [email preferred]

Për figurën që tregon përdorimin total të antibiotikëve në secilin shtet [© Herman Goossens], shikoni: https://press.thelancet.com/AntibioticFigPDF.pdf (JPG image: https://press.thelancet.com/AntibioticFigJPG.jpg)

Artikullin e plotë dhe komentet shikoni në linkun: https://press.thelancet.com/antibioticuse.pdf

LINKU I PLOTË PËR LEXUES: https://ëëë.thelancet.com/journals/laninf/article/PIIS1473-3099(14)70071-4/abstract