Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Tolaj: Askush në MSH nuk ka iluzione se gjendja në shëndetësi mund të përmirësohet me një ndërhyrje magjike

“Askush në MSH dhe as në institucionet e tjera shëndetësore nuk ushqen iluzionin se gjendja në shëndetësi dhe me këtë edhe në fushën e shëndetit të grave dhe fëmijëve mund të përmirësohet me një ndërhyrje magjike dhe brenda një periudhe të shkurtër. Mirëpo, periudha e gjatë e përpjekjeve për shëndetësi më të mirë dhe më efikase nuk guxon të na frikësojë dhe zmbraps nga qëllimi fisnik për të siguruar shëndet për të gjithë”, tha Tolaj.

Ai ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të përfitojnë nga praktika e ekspertëve të OBSH-së dhe të freskojnë dijet shkencore.

“Në realizimin e këtij synimi përditësimi dhe përparimi i vazhdueshëm i njohurive dhe shkathtësive mbetet prioritet mbi prioritete, mbetet alfa dhe omega e suksesit. Prandaj, përkundër pohimeve të  aty- këtushme dhe perceptimeve individuale se është tepruar me trajnime, ne ruajmë bindjen se të mësuarit gjatë gjithë jetës nuk ka alternativë askund, po sidomos në mjekësi ku përparimet dhe zhvillimet e reja e bëjnë absurd faktin e djeshëm”, tha dr. Tolaj.

Dr. Skënder Syla, shef i OBSH-së në Kosovë, ka thënë se dhjetë vjetët e kontakteve të vazhduara me mjekët e QKUK-së kanë prodhuar rezultate e të arritura, por që ende ka nevojë për ngritje të mëtejme profesionale.

Dr.  Shefqet Lulaj, drejtor i KOGJ, tha se Kosova ende ballafaqohet me vdekshmëri të lartë prenatale të nënave e foshnjave, por janë bërë hapa të mirë për t’u arritur ulja e indikatorëve të vdekshmërisë dhe për t’iu ofruar vendeve të Evropës.

Ky trajnim  është në kuadër të projekteve të përbashkëta të tri agjencioneve të Kombeve të Bashkuara (WHO, UNICEF dhe UNFPA) -Përmirësimi i shëndetit të grave dhe fëmijëve në Kosovë, i financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.