Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Trajnohen mjekët për ballafaqim me Gripin A H1N1

Profesionistët e  IKShP-së i kanë bërë disa prezantime profesionale gjatë trajnimit, në të cilin janë përfshirë kryesisht drejtues të Qendrave Kryesore të Mjekësisë familjare, të cilët njohuritë e fituara do t’i bartin në mënyrë horizontale te mjekët e tjerë familjarë, të cilët vlerësohet se paraqesin nivelin e parë të ballafaqimit me rastet e pandemisë së Gripit A H1N1.

Gjatë prezantimeve të sotme, profesionistët e IKSHP-së kanë prezantuar të dhëna të përgjithshme për Gripin  A H1N1, por edhe për gripin e zakonshëm dhe Gripin e shpezëve, intervenimet jo-farmaceutike te Gripi A H1N1, përgjigjet rreth komunikimit për këtë grip, derisa ekspertët e Klinikës Infektive kanë prezantuar mënyrat e  menaxhimin klinik dhe human të rasteve me Gripin A H1N1.

U.D. të Sekretarit Permanent të MSh-së Haxhi Kamberi ka folur për masat preventive të cilat deri më tash i ka ndërmarrë kjo ministri për ballafaqim me Gripin A H1N1 si janë sigurimi i medikamentit Tamiflu, nisja e procedurave për porosinë e vaksinës, ndërkohë që ka vlerësuar se trajnimi është një hap para në përgatitjet për ballafaqim me rastet eventuale. Ai e ka konsideruar si shumë të nevojshëm edukimin e vazhduar të stafit mjekësor lidhur me mënyrat e ballafaqimit me pandeminë.

Përfaqësuesit e OBSH-së ndërkaq, kanë prezantuar çështje që kanë të bëjnë me rregullativën ligjore rreth trajtimit të gripit.

Sergey  Koryak, përgjegjës për Shëndetësinë Publike në OBSH-Zyra në Prishtinë, ka thënë se pas këtij trajnimi, do të jenë vetë të trajnuarit ata që do t’i dizajnojë mënyrat e mëtejme të trajnimit të stafit tjetër.

Trajnimet do të vazhdojnë tutje në 8 qendra të tjera kryesore të Mjekësisë familjare në Kosovë, ndërsa në fokus të aftësimit do të jenë të gjithë mjekët familjarë, me qëllim që ata të aftësohen sa më shumë për detektimin dhe diagnostikimin  e rasteve të Gripit A H1N1, në bashkëpunim me epidemiologët, mikrobiologët dhe klinicistët.