Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U hapet rruga ligjeve që përmirësojnë pozitën e mantelbardhëve

Ministria e Shëndetësisë është e inkurajuar me vënien në rend dite për shqyrtim të parë në Kuvendin e Kosovës  të Projektligjit për Shërbimin Civil dhe të Projektligjit për Pagat e shërbyesve civilë.

MSh vlerëson se kalimi i këtyre dy projektligjeve, do të ndikojnë në përmirësimin e pozitës materiale të punonjësve shëndetësor, pasi që me Projektligjin për shërbyesit civilë, punonjësit shëndetësor nxirren nga kategoria e shërbyesve civilë dhe marrëdhënia e punës së tyre rregullohet me Ligjin e punës dhe përmes Kontratës Kolektive.

Miratimi i ligjit për shërbyesit civil, krijon parakushtet për ngritjen e pagave të punonjësve shëndetësor, ndërkohë që me Ligjin për sistemin e pagave, krijohet një sistem i pagave në Kosovë, që nuk ka ekzistuar deri më tani, dhe i cili, gjithashtu, mundëson ngritjen e vlerës së koeficientëve, duke siguruar kështu një përmirësim material të pozitës së punonjësve shëndetësor në Kosovë.

Në ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka përmbyllur agjendën e vet legjislative për këtë vit, duke i kryer procedurat e plotësim- ndryshimit dhe hartimit të shtatë Projektligjeve, të cilat janë paraparë brenda kësaj agjende legjislative për këtë vit për Ministrinë e Shëndetësisë.