Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U mbajt dëgjim publik për Projektligjin për Kontrollin e Duhanit

Dr. Faik Hoti (MSh), kryetar i Grupit Punues për hartimin e Projektligjit për Kontrollin e Duhanit, tha se projektligji ka për qëllim mbrojtjen e  shëndetit publik, të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të tij..
“Në kohën kur duhan-pirja konsiderohet një epidemi globale, pjesë e së cilës është edhe Kosova, përkrahja për këtë Projektligji, përveç se paraqet një kontribut të drejtpërdrejt në zvogëlimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës në Kosovë, paraqet edhe një detyrim kushtetues për të siguruar një mbrojtje universale nga duhan-pirja e drejtpërdrejt dhe nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit apo pirja pasive”, tha ai.
Hoti ka shpjeguar se esenca e këtij projektligji ka të bëjë me ndalimin 100 % të duhanpirjes në hapësirat e mbyllura publike, hapësirat e mbyllura të punës, në transportin publik dhe në hapësirat e tjera publike (të hapura apo kuazi të hapura).  “Kjo masë që tashmë po aplikohet në vende të ndryshme të botës, është në përputhje të plotë me nenin 8  të Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (FCTC), të cilën e kanë nënshkruar 176 shtete të botës (përfshirë edhe vendet e BE-së), që paraqesin 90 % të popullatës në botë, ndërsa  ndalimi 100% i duhanit në hapësirat e lartpërmendura është masë që ndikon drejtpërdrejt në uljen e prevalencës së duhanpirjes dhe në mbrojtjen e jo-duhanpirësve nga ekspozimi në tymin e duhanit”.
Hoti ka shpjeguar më tej edhe masat e tjera që i përmban Projektligji për Kontrollin e Duhanit, përfshirë, kufizimin e shitjes së produkteve të duhanit dhe ekspozimin,  masat për parandalim, vetëdijesim dhe edukim, Këshillin Ndërministror për Kontroll të Duhanit, masat për ndalimin e konfliktit të interesit dhe kufizimin e ndërveprimit midis Qeverisë dhe industrisë së duhanit, sanksionet administrative, etj. Ai tha se praktika e vendeve që po shënojnë sukses në implementimin e masave më efikase dhe strategjive për kontrollin e duhanit ka treguar se ligjet bëhen të zbatueshme vetëm atëherë kur ka një mbështetje të qartë politike për to, koordinim ndër-sektorial, përkrahje financiare dhe pranim të ligjit për duhanit nga ana e popullatës, e cila duhet ta konsideroj këtë ligj si një instrument që mbron shëndetin e saj.
“Lufta kundër duhanit është e vështirë kudo dhe nuk ka ndonjë formulë unike, por shtetet kanë mësuar nga njëra- tjetra, nga përvojat e mira dhe të këqija.  Prandaj, edhe me Projektligjin për Kontrollin e Duhanit, zgjedhja na takon neve:  të zgjedhim midis duhanit dhe shëndetit. Ne jemi të bindur se nuk guxojmë ta humbim këtë rast dhe duhet ta zgjedhim të dytën”, tha Hoti.
Z. Luciano Callestini, zëvendësshef i UNICEF-it, duke folur në emër të agjensioneve të OKB-së në Kosovë që veprojnë në fushën e shëndetësisë, tha se Kosova, nuk ka kohë për të humbur, me normë të dytë më të lartë në botë për konsumimin e duhanit për kokë banori, jetëgjatësi më të ulët të jetës dhe vdekshmëri më të lartë të fëmijëve në Evropë. “Thjesht nuk mund të përballojë varësinë e saj nga duhani.  Është vlerësuar se përdorimi i duhanit i kushton 27 vendeve anëtarë të BE-së mesatarisht 3.5 për qind të GDP-së vjetore. Nëse kjo do të aplikohej në Kosovë, do të barazonte 174 milion € në vit të humbura në shpenzimet e kujdesit shëndetësor, produktivitetit të reduktuar, dhe vdekjeve të hershme. Kjo është pothuajse dyfishi i të ardhurave të gjeneruara aktualisht përmes doganës dhe akcizës mbi produktet e duhanit. Dhe në drejtim të erozionit në strukturën shoqërore të Kosovës, a jemi të kënaqur që të pranojmë që 1.7 milionë e njerëzve që jetojnë sot në Kosovë, deri në 400.000 nëna të Kosovës, baballarë, motra dhe vëllezër – në mesin e tyre 40.000 jo-duhanpirës, duke përfshirë shumë fëmijë – do të vdesin si rezultat i drejtpërdrejtë i shprehisë së tyre për pirje të duhanit”, tha ai. Z. Calestini. Ai i ka dhënë mbështetje të fuqishme projektligjit në formën si është miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës.
Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë ka tërhequr vërejtjen për ndikimin e industrisë së duhanit në rritjen e prevalencës së duhan-pirjes ndërsa ka shprehur përkrahjen e qartë të kësaj organizate për projektligjin, duke shpjeguar se Zyra Rajonale e OBSH-së, e ka analizuar këtë projektligj dhe ka vlerësuar se ai është në koherencë të plotë me Konventën Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit.
Projektligjit përkrahje i ka dhënë edhe shoqëria civile e përfaqësuar nga organizata KADC, pacientë prekur nga kanceri drejtpërdrejt, ndërkohë që përfaqësues të industrisë së duhanit, kanë shprehur vërejtjet e tyre kryesisht rreth masës së ndalimit të ekspozimit të duhanit në pikat e shitjes, duke pretenduar se një masë e këtillë dëmton bizneset ekonomike.
Deputeti nga radhët e “Vetëvendosjes”, Liburn Aliu ka mbështetur ndërkaq këtë masë të paraparë në projektligj ligj dhe ka theksuar se në aspektin praktik, Projektligji i ofruar është shumë më praktik se ligji në fuqi dhe shumë më lehtë i zbatueshëm.
Po sot, dëgjim publik është mbajtur edhe për Projektligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor në Kosovë.