Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U mbajt Dita e Shëndetësisë Austriako-Kosovare 2015

Prishtinë, 6 tetor 2015

Me vendosjen e shëndetësisë si një nga prioritetet kryesore të saja, Qeveria, përkatësisht MSH angazhohet në zbatimin e reformës përmbajtësore dhe gjithë-përfshirëse në sektorin e shëndetësisë bazuar në Strategjinë sektoriale shëndetësore 2015-2020 dhe moton e Bashkësisë Europiane në sektorin e shëndetësisë “Politikat shëndetësore  – në të gjitha politikat”.

Kështu tha sot Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani në Ditën e Shëndetësisë Austriako-Kosovare 2015, që u shënua sot në mjediset e Universitetit për Biznes dhe Teknologji me temën: “Reformimi i Shëndetësisë drejt standardeve evropiane”.

Ky takim i organizuar nga Shoqata Austriako-Kosovare kishte mbledhur në mjediset e këtij universiteti politikë-bërës nga Ministria e Shëndetësisë, përfaqësues nga institucionet shëndetësore, organizata ndërkombëtare, të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shëndetësisë nga Austria e Kosova me qëllim që të diskutojnë  për sfidat e sotme të sistemit shëndetësor në Kosovë, si edukimin shëndetësor, kujdesin ndaj nënës e femijës, preventivën shëndetësore dhe procesin e reformës shëndetësore.

Në takim ndërkaq, ka marr pjesë edhe Erhard Busek, kryetar nderi i Forumit të njohur “Alpbach” i cili  ka shërbyer si Koordinator i BE-së për Paktin e Stabilitetit dhe, këshilltar i Iniciativës Ekonomikë në Kosovë që nga viti 2008.

Ministri Rrahmani tha se MSH sot gjendet në një fazë të rëndësishme të zbatimit të reformës së sistemit shëndetësor, e cila reformë synim kryesor ka sigurimin e qasjes universale në shërbime cilësore shëndetësore për të gjithë qytetarët dhe banorët e vendit si dhe eliminimin e pabarazive gjatë shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore. “Kjo do të arrihet me funksionalizimin më të mirë të sistemit shëndetësor, ngritjen e efikasitetit të institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastrukturës së hapësirave dhe mjeteve të funksionimit, funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore si dhe zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale në kuptim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies së strukturave menaxheriale”, tha ai.

Më pas Ministri ka elaboruar aspekte që lidhen me themelimi dhe funksionalizimi i Fondit Publik të Sigurimeve Shëndetësore; Implementimi dhe Funksionalizimi i plotë të Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH); Funksionalizimin e  plotë i Odave të Profesionistëve Shëndetësorë dhe çështje të tjera me interes për reformën në shëndetësi.

Nga an e tij. Z. Erhard Busek, ka vlerësuar se intervenime të nevojshme duhet bërë në përmirësimin e kushteve në institucionet shëndetësore, në preventivën shëndetësore, edukimin shëndetësor dhe fusha të tjera të shëndetësisë, duke theksuar se takimi si ku i Ditës së Shëndetësisë Austriako-Kosovare vendos kornizat e një bashkëpunimi akademik, që për qëllim ka krijimin e një partneriteti, këmbimin e përvojave  me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve, edukimit shëndetësor dhe menaxhimit shëndetësor.

Në këtë takim, përfaqësues të tjera nga MSH-j dhe nga Shoqata Austriako-Kosovare, ,  A-IHCN (Austrian Integrated Health Care Network), etj. Kanë prezantuar aspekte të ndryshme të sfidave të sotme të shëndetësisë.