Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U mbajt Kuvendi i Odës së Farmacistëve të Kosovës

Prishtinë, 27 qershor 2014

Me 34 vota për nga numri i përgjithshëm prej 56 anëtarëve të Kuvendit të Odës së Farmacistëve sa morën pjesë në raundin e dytë të votimit, profesor Zehadin Gashi u zgjodh sot Kryetar i Odës së Farmacistëve të Republikës së Kosovësnë Kuvendin inaugurues të  kësaj ode. Që u mbajt në Prishtinë.

Profesor Gashi u zgjodh kryetar në raundin e dytë të votimit, pasi në raundin e parë, asnjëri prej tre kandidatëve të certifikuar për kandidat për kryetar të kësaj  ode: Zehadin Gashi, Shkumbin Jusufi dhe Armend Jashri nuk morrin shumicën e nevojshme për t’u zgjedhur që në raundin e parë, derisa një prej kandidatëve Arsim Halili, ishte tërhequr nga gara për shkak të angazhimeve të tjera personale.

Vet konstitumi i Odës së Farmacistëve të Kosovës u vlerësua si një akt historik për farmacinë kosovare, në procesin  e marrjes së përgjegjësive për këtë fushë nga vet farmacistët, bazuar në Ligjin për Odën e Profesionistëve Shëndetësor të Republikës së Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se Oda e Farmacistëve është një institucion i ri shëndetësor , që po e kompleton sektorin farmaceutik, në Kosovë dhe është një institucion që do ta paraqes shtyllën e reformës shëndetësore në sektorin e farmacisë.

“Ky është një moment esencial për farmacinë,  sepse shënon  ngritjen e përgjegjësisë publike dhe profesionale të farmacistëve dhe ndihmon në rritjen e besimit për sektorin farmaceutik”, tha Ministri Agani. Ai tha se që nga dita e parë e marrjes së mandatit të tij ka pasur për qëllim që profesionin e farmacisë ta vendos në duart e profesionistëve të kësaj fushe, kështu që, konstituivi i Odës së Farmacistëve, theksoi ministri,  paraqet një moment të rëndësishëm më procesin e bartjes së përgjegjësive dhe krijimin e një kornize ligjore që do të ndihmojë në sektori farmaceutik të ngrihet në nivelin më të lartë të mundshëm.

Kuvendin e Odës së Farmacistëve të Kosovës e ka përshëndetur  Zonja Diana Toma, Presidente e Urdhrit të Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë, që këtë kuvend e ka quajtur një zhvillim profesional dhe ligjor të farmacistëve kosovarë në procesin e fuqizimit të rolit të tyre në sistemin shëndetësor.

Gjithashtu, Kuvendin e ka përshëndetur edhe Agim Çaka kryetar i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, i cili ka mbështetur këtë zhvillim dhe ka vënë në dispozicion ndihmën e shoqatës në përforcimin e rolit profesional të farmacistëve kosovarë.

Ndërkaq, kryetari i zgjedhur i Odës së Farmacistëve të Republikës së Kosovës, Zehadin Gashi ka falënderuar anëtarët për besimin e dhënë, Ministrin Agani dhe KQZ-në për Odat e Profesionistëve Shëndetësor për udhëheqjen me sukses të procesit të krijimit të kësaj ode dhe ka shprehur gatishmërinë që bashkë edhe me kundër-kandidatët dhe farmacistët e tjerë, të kontribuojë për fuqizimin e rolit të farmacistëve në Kosovë dhe marrjen dhe kryerjen me përgjegjësi të detyrave sikur e parasheh Ligji për Odën e Farmacistëve të Kosovës.

Kuvendit të inaugurimit të Odës së Farmacistëve i kanë parapri zgjedhjet në njësitë zgjedhore në të gjitha regjionet e Kosovës, të cilët në këtë Kuvend deleguan 57 anëtarë, prej të cilëve të pranishëm në Kuvend ishin 56 anëtarë, të cilët në mënyrë transparente dhe pa asnjë kundërshti, zgjodhën sot kryetarin e tyre.