Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

U mbajt takimi i dytë i Këshillit përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Prishtinë, 12 tetor 2015

Kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani,  u mbajt sot në Ministrinë e Shëndetësisë takimi i dytë i Këshillit Përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Në këtë takim, anëtarët e Këshillit kanë diskutuar draft -Rregulloren për punën e këtij Këshilli, e cila pas finalizimit do të dërgohet në ndërkohë për miratim në Qeverinë e Kosovës si dhe janë diskutuar hapat e deritanishëm në themelimin e Fondit dhe procesit të implementimit të sigurimeve shëndetësore.

Nga Ministri Rrahmani dhe përfaqësuesit e Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë u kërkua mbështetja edhe e ministrive të tjera në zhvillimin e hapave të tjerë për implementimin e sigurimeve shëndetësore, u konfirmua hartimi i Udhëzimit Administrativ për mbledhjen e premiumeve shëndetësore, ngritja e komponentit të Sistemit të Informimit Shëndetësor për sigurimet shëndetësore dhe punë të tjera në proces.

Ministri Rrahmani kërkoi angazhimin e të gjitha palëve në sigurimin e kushteve të nevojshme me qëllim që procesi përgatitor për fillimin e mbledhjes së premiumeve të zhvillohet normalisht, ndërsa baza e të dhënave të nevojshme të popullohet nga MSH, ministritë dhe agjensionet e tjera.